Site icon Telegrafi

Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme, analistët identifikojnë defektet dhe të mirat e ligjit

Procedimi i një ligji të ri për të konfiskuar pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme i propozuar nga Qeveria Kurti ka nxitur debate në shoqëri.

Juristi Bardhyl Hasanpapaj thotë në RTV Dukagjini se koncepti që u propozua nga Qeveria e Kosovës për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme pavarësisht se po paraqitet si i vrazhdë është mjaft i mirë.

“Kjo nuk është ide vetëm e Albin Kurtit. Kjo ide është duke u zbatuar suksesshëm në Irlandë, Angli e shumë shtete të suksesshme të Bashkimit Evropian”, ka deklaruar juristi Bardhyl Hasanpapaj.

Juristi tjetër, Drejtori i “Çohu”, Arton Demhasaj thotë se në Kosovë është problem se kasta politike është shumë e pasur.

“Në çfarë mënyre ata [politikanët] janë pasuruar unë nuk e di, por është problem që ligji i propozuar ka target edhe qytetarët e thjeshtë…Është problem edhe pragu prej 10 mijë eurove. Pra nëse dyshohet se një person ka një pasuri prej 10 mijë eurove e që nuk mund ta justifikojë, do të fillojnë hetimet ndaj tij. Kjo është problem pasi ne e dimë se si janë problemet me pronat në Kosovë”, deklaroi Demhasaj.

Gëzim Shala nga IKD thotë se koncept-dokumenti për hetimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme parimisht ka një qëllim të mirë dhe është shumë fisnik dhe i ligjshëm.

“Askush nuk mund të thotë se personat që janë pasuruar në mënyrë të dyshimtë të mos kthejnë paratë dhe mos hetohen. Por duhet të ketë një konsultim të gjerë me të gjithë akterët e që nuk ka ndodhur”.

Gazetari nga Shqipëria Çim Peka thotë se Albin Kurti një ligj të tillë e ka pasur premtim elektoral dhe sipas tij është në rregull që ai po shtynë para një ligj të tillë.

Ish-deputeti Visar Ymeri thotë duhet parë se cili është qëllimi i këtij ligji.

“Në bazë të asaj që është thënë nga zyrtarët e LVV-së, praktikisht me anë të këtij ligji po synohet të ndërhyhet në sistemin juridik të Kosovës për të krijuar një instancë të re të pushtetit e cila do të merrej me konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme në mënyrë të përshpejtuar”.

Ymeri thotë se LVV me këtë ligj po synon të krijojë përshtypjen se pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme në dëm të shtetit do të konfiskohet dhe do t’iu kthehet qytetarëve./Telegrafi/

Exit mobile version