Në përpjekje për të përmirësuar cilësinë e ajrit në Munih, kufizimi i shpejtësisë prej 30 km/h do të mbetet përgjithmonë në një pjesë të Landshuter Allee, që është pjesë e rrugës së rëndësishme Mittlerer Ring.
Këtë vendim e kanë marrë Komiteti për Mobilitet dhe Komiteti për Mbrojtjen e Klimës dhe Mjedisit i Këshillit Bashkiak të qytetit.
Me këtë është përmbyllur një debat shumëvjeçar mbi përputhshmërinë me kufijtë ligjorë të gazrave të dëmshëm në Landshuter Allee, një nga rrugët më të ngarkuara të qytetit.
Vitin e kaluar, pas vendosjes së kufizimit të shpejtësisë në 30 km/h, për herë të parë pas 14 vitesh u respektua kufiri i përcaktuar me ligj për emetimet e dioksidit të azotit. Kjo u konfirmua nga pajisjet matëse të vendosura pranë rrugës.
Vendimi fillestar u përball me shumë kritika nga shoferët, por nuk pati ndryshime, dhe tani ky kufizim është, në një farë mënyre, i “cementuar”.
Përveç kufizimit të shpejtësisë, është ndaluar edhe qarkullimi i veturave të vjetra me motorë dizel që plotësojnë standardin Euro 4 ose më të ulët. Tani duket se kjo masë do të bëhet e përhershme. /Telegrafi/