Site icon Telegrafi

Konfirmohet vizita e Glauk Konjufcës në Hagë, pritet të takohet me ish-krerët e UÇK-së

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca me 17 qershor do të realizojë një vizitë ku do të takohet me ish-drejtuesit e UÇK-së që janë duke u përballur me Gjykatën Speciale.

Vizitën dhe takimin e ka konfirmuar shefi i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, Ilir Kërçeli.

Përmes një postimi në Facebook, Kërçeli ka thënë se “Bashkë me kryeparlamentarin Konjufca me datën 17 qershor, udhëtojmë për t’i vizituar ish-krerët e UÇK-së në Hagë”.

Në Hagë, ish-liderët e UÇK-së, pos vizitave nga anëtarët dhe deputetët e PDK-së, janë takuar edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Por të njëjtët kishin refuzuar një takim me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre./Telegrafi/

 

Exit mobile version