Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e ka konfirmuar vdekjen e dy kosovarëve nga vërshimet, njëri prej të cilëve posedonte nënshtetësinë gjermane.
MPJD-ja njofton se përmes ambasadës dhe konsullatave në Gjermani po e përcjellin nga afër gjendjen e krijuar atje, dhe se janë në kontakt me shumë familje dhe pjesëtarë të mërgatës që janë prekur nga katastrofa natyrore.
“Bazuar në të dhënat zyrtare, deri më tani ka humbur jetën një person me shtetësi kosovare, si dhe një person tjetër që ka njërin prind me shtetësi të Kosovës, përderisa viktima mban shtetësinë gjermane”, thuhet në deklaratën e MPJD-së.
MPJD-ja, fton të gjithë bashkatdhetarët që të lajmërohen në konsullatat më të afërta të cilat janë të gatshme në çdo kohë të ofrojnë asistencën e nevojshme.
Ndërkaq, numri i viktimave nga përmbytjet e fundit në Evropë ka arritur në 195, njoftuan autoritetet më 19 korrik.
Në zonat e katastrofës janë në kërkim të personave të tjerë të zhdukur 250 policë, zjarrfikës dhe punonjës të Entit për Fatkeqësi Natyrore.
Sipas policisë në qarkun Rhein-Sieg dhe në rrethin Euskirchen janë rreth 150 vetë që konsiderohen ende si të zhdukur./Telegrafi.