Site icon Telegrafi

Konfirmohet takimi Veseli-Delawie, bisedohet për riformatimin e Qeverisë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka pritur në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.

Në këtë takim, kryeparlamentari Veseli ka diskutuar me ambasadorin Delawie për zhvillimet politike në vend dhe për punën e Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari Veseli dhe ambasadori Delawie kanë biseduar edhe për nevojën e riformatimit të Kabinetit qeveritar, që duhet të ndodhë pas konsultimeve dhe pajtimit mes partnerëve të Koalicionit qeveritar.

Në këtë kontekst, kryeparlamentari Veseli ka theksuar se reformat në Qeveri duhet të fokusohen në reforma ekonomike, për të hapur perspektivë më të madhe të zhvillimit ekonomik të vendit.

Kreu i legjislativit e ka informuar ambasadorin amerikan në Kosovë edhe për nisjen e sesionit vjeshtor parlamentar dhe agjendën parlamentare të Kuvendit për këtë vit. /Telegrafi/

Exit mobile version