Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati ka thënë se dokumentet e dërguara në OVL-UÇK, janë dokumente origjinale të Gjykatës Speciale.
Gucati, ka thënë se sot kanë pasur një vizitë të pakëndshme në zyrat e OVL-UÇK-së.
Ai po ashtu tha se të mërkurën një person anonim ka sjell në OVL-UÇK dokumente të tjera të Gjykatës Speciale, siç e quajti ai “Rrufeja dy”, shkruan Telegrafi.
“Sot kemi pasur një vizitë të pakëndshme në zyret e OVL e UCK-së, kanë ardhur hetuesit e Gjykatës Speciale. Dje e kemi quajtur ‘rrufeja dy’. Është person anonim ai i cili i ka dorëzuar këto dosje dhe pastaj është larguar. Me këshillën e avokatit Gashi këto materiale i dorëzuam. Tashmë më në fund është vërtetuar se këto dokumente janë të Gjykatës Speciale apo të Dhomave të Specializuar, në Hagë”, ka thënë Gucati.
Edhe avokati Tomë Gashi tha se duke u bazuar në logon e Gjykatës Speciale, vërtetohet se këto janë dokumente origjinale të tyre.
“Vërtetohet se këto dokumente janë të Gjykatës Speciale, me këshillën time kryetari ka vendosur që tash t’ua dorëzoj. Në bazë të logos e shikoni që këto dokumente janë të Gjykatës Speciale, apo të Dhomave të Specializuara në Hagë”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, mediat duhet të kenë kujdes në publikimin e këtyre dokumenteve, duke u bërë apel që të mos publikojnë emrat dhe mbiemrat që gjenden në këto dokumente.
“Mendoj që nuk është e ndaluar të publikohen këto dokumentacione. Mirëpo nëse gjeni emra dhe mbiemra të dëshmitarëve nuk duhet t’i publikoni ato. Është hera e dytë që një person anonim i sjell këto dokumente…”, ka thënë ai, shkruan Telegrafi.
Tutje Gashi tha se Gjykata Speciale është kundër shqiptarëve pasi siç theksoi ai askund të botë nëse është një luftë dy paleshe nuk mund të ndiqet vetëm njëra palë.
“Kjo gjykatë është kundër pjesëtareve të UÇK-së, askund në botë nëse kemi një luftë dy palëshe nuk mund të ndiqet vetëm njëra palë. Prokuroria serbe dhe policia e gjykatat serbe në Serbi kanë bashkëpunuar ngushtë më Prokurorinë Speciale në Hagë, dhe në të ardhmen do të shohim se çfarë kredibiliteti do të ketë”, ka thënë Gashi. /Telegrafi/