Site icon Telegrafi

SHBA, konfirmohet rasti i parë i variantit Omicron të COVID-19

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka identifikuar rastin e parë të variantit të ri të coronavirusit, Omicron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

CDC thotë se një individ në Kaliforni, i cili kohët e fundit kishte udhëtuar në Afrikën e Jugut, doli pozitiv për këtë lloj të COVID-19, raporton cnn. Ai raportohet se ishte i vaksinuar kundër coronavirusit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e vlerëson Omicronin si një “variant shqetësimi”. Në një përmbledhje teknike të lëshuar këtë javë, OBSH vuri në dukje se varianti paraqet një rrezik global “shumë të lartë”. Varianti u identifikua për herë të parë nga shkencëtarët në Afrikën e Jugut dhe që atëherë është zbuluar në disa vende.

Lexo po ashtu Zyrtari i lartë i OBSH-së thotë se Omicron nuk mund të ndalet, megjithatë mendon se nuk ka nevojë për panik

Të hënën, presidenti amerikan, Joe Biden e quajti variantin “një shkak për shqetësim, jo një shkak për panik”, duke thënë se “Ne do të duhet të përballemi me këtë kërcënim të ri ashtu siç përballemi me ata që kanë dalë para tij”.

Zyrtarët shëndetësorë po u bëjnë thirrje njerëzve që të vaksinohen kundër COVID-19, ose të marrin një përforcues nëse kanë të drejtë. Masat e tjera si maskat, larja e duarve, distanca fizike dhe ajrimi do të vazhdojnë të funksionojnë kundër variantit Omicron.

Delta coronavirusi mbetet varianti dominues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Telegrafi/

Exit mobile version