Telegrafi

Konfirmohet pjesëmarrja e Pejës në FIBA Europe Cup

Kampionia e Kosovës në basketboll, Peja do të paraqitet në sezonin e rregullt të FIBA Europe Cup. FIBA, të hënën ka konfirmuar pjesëmarrjen e Pejës në fazën e grupeve të garës së nivelit të katërt.

Peja do të jetë pjesë e Grupit H, të cilin e përbëjnë edhe Heroes Den Bosch nga Holanda, Niners Chemnitz nga Gjermania dhe Spojnia Stargard nga Polonia.

Ndeshjet e para të këtij grupi, do të zhvillohen më 18 tetor, ndërsa Peja do të luajë në udhëtim te skuadra Niners Chemnitz.

Për Pejën, kjo është hera e dytë që paraqitet në sezonin e rregullt të FIBA Europe Cup.

Herën e parë, Peja u paraqit në edicionin 2016/17, ku përfundoi e fundit në grup me vetëm një fitore në gjashtë ndeshje të luajtura.

Peja do të luajë në FIBA Europe Cup këtë sezon, pasi nuk arriti të kualifikohet në Ligën e Kampionëve. U mposht në çerekfinale të turneut kualifikues nga skuadra daneze, Bakken Bears.