Telegrafi

Konfirmohet Ilir Daja, vazhdon kontratën Bajram Jashanica

Ballkani ka bërë dy njoftime të rëndësishme, duke konfirmuar qëndrimin e trajnerit Ilir Daja dhe mbrojtësit Bajram Jashanica edhe për të paktën dy vjetët e ardhshme.

Në njoftimin e publikuar në Facebook, KF Ballkani tha se të gjitha planet e klubit në këtë periudhë kohore “lidhen me projektin e përbashkët me trajnerin tonë”.

“Të dashur tifozë. Ashtu siç kemi bërë të ditur në fund të muajit shkurt, profesor Ilir Daja do të jetë pjesë e jona, së paku edhe për dy vjet. Të gjitha planet e klubit për këtë periudhë kohore, lidhen me projektin e përbashkët me trajnerin tonë. Çdo formë tjetër që po merr jehonë në media, mbetet thjeshtë spekulim, me qëllime dashakeqe ndaj klubit”, thuhet në njoftim.

Për vazhdimin e kontratës me Dajën, klubi nga Suhareka pati shkruar edhe më parë, ndërsa ishin hedhur shumë dyshime për të ardhmen e tij.

Po ashtu kontratën për dy vite e ka nënshkruar edhe mbrojtësi Bajram Jashanica, njëri prej lojtarëve kryesor te Ballkani.

” Një prej aseteve tona të çmueshme të sukseseve historike, vazhdon me kampionët edhe për 2 vjet. “Muri” ynë i mbrojtjes, Bajram Jashanica, nënshkruan deri më 2026. Klubi i uron suksese futbollistit, drejt objektivave tona të përbashkëta”, thuhet në njoftim.

Ballkani me Ilir Dajën dhe Bajram Jashanicën kanë fituar tre tituj kampioni. /Telegrafi/