Telegrafi

Konfirmohet: Edhe NISMA bojkoton Kuvendin

Deputetët e Nisma për Kosovën nuk do të marrin pjesë në seancën e radhës, e cila pritet të mbahet të enjten. Këtë e ka konfirmuar në emisionin “Kontakt”, në Tribuna Channel, deputeti i Nismës për Kosovën, Enver Hoti.

Ai thotë se bojkotimin nga Kuvendin e marrin si instrument, i cili bën një presion krejtësisht demokratik mbi këtë Qeveri.

“Ne si opozitë, por edhe si NISMA për Kosovën i kemi bërë të njohura qëndrimet tona. Ne bojkotimin nga Kuvendi e marrim si instrument, i cili e bënë një presion krejtësisht demokratik mbi këtë Qeveri, e cila edhe ashtu nuk është në nivelin e duhur dhe nuk ka legjitimitet për të vazhduar më tutje”, ka thënë deputeti Hoti.

Ndryshe nga AAK-ja e cila është deklaruar se nuk do të jetë pjesë e Kuvendit deri në zgjedhjet e reja, Nisma për Kosovën ka vendosur ta bojkotoj Kuvendin në kohë të pacaktuar.