Site icon Telegrafi

Konfirmohet dështimi i bisedimeve për mediat

Ngecin bisedimet për mediat. Grupet e punës nuk janë të interesuara për vazhdimin e mëtejmë të bisedimeve. Këtë e konfirmoi për ALSAT-M ndërmjetësi belg, Peter Vanhoutte, transmeton Telegrafi.

“Nuk mendoj që do të ketë takim të grupeve të punës para zgjedhjeve. Nëse njëra nga partitë refuzon të merr pjesë në takim nga shkaku se nuk i pëlqen qasja konsensuale dhe ajo që partitë të pajtohen rreth një çështjeje, atëherë nuk e shoh të arsyeshme që të mblidhet grupi punues. Problemi me diskutimin e çështjes në kuvend ka të bëjë me atë që në fund krejt varet nga shumica dhe jo nga konsensusi mes të gjitha partive”, tha Peter Vanhoutte, ndërmjetës.

Bartjen e zhvillimit të bisedimeve për mediat nga grupet e punës në Kuvend e kanë komentuar edhe shoqatat mediatike. Naser Selmani tha se kjo dëmton procesin e reformave në media.

“Jo se kuvendi i Maqedonisë nuk është vendi ku duhet të diskutohen këto reformat por neve na shqetëson sistemi dhe mënyra e vendimmarrjes. Ju e dini se nëse braktiset sistemi i vendosjes me konsensus, atëherë dihet se kush i ka votat në kuvend dhe është joserioze të pritet që kjo përbërje e kuvendit të miratojë vendime pozitive për reformat në media”, u shpreh Naser Selmani, Kryetar i SHGM-së.

Çështja e mediave mbetet në agjendën e faktorit ndërkombëtar, mirëpo mbetet pikëpyetje nëse e njëjta do të zgjidhet para, ose do të lihet pas zgjedhjeve të planifikuara të 5 qershorit./Telegrafi/

Exit mobile version