Telegrafi

Konfirmohen edhe pesë raste të reja me coronavirus në veri

Në veri të vendit gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar pozitivë edhe pesë persona me COVID-19, ndërsa janë shëruar katër persona.

Këtë e ka bërë të ditur epidemiologu Aleksandar Antonijeviq, gjatë konferencës për media të shtabit të krizës që u mbajt sot në veri të Mitrovicës.

Ai tha se tre personat e infektuar janë nga komuna e veriut të Mitrovicës, ndërsa dy të infektuarit tjerë janë nga komuna e Leposaviqit dhe Zveçanit.

Sipas tij, në veri të Kosovës deri tani janë konfirmuar me COVID-19 gjithsej 102 persona, janë shëruar 56, ndërsa kanë vdekur 8 persona.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar pesë persona të infektuar, nga të cilët tre nga Mitrovica, dhe nga një person nga Zveçani dhe Leposaviqi. Katër persona janë shëruar, derisa tek njëri pas ri-testimit sërish është konfirmuar rezultati pozitiv. Deri dje janë testuar gjithsej 995 persona, nga të cilët kemi 102 të infektuar, 56 të shëruar dhe fatkeqësisht 8 persona kanë vdekur”, ka thënë Antonijeviq, raporton kp.

Ai apeloi tek qytetarët që në mënyrë rigororoze t’i përmbahen masave të rekomanduara, sidomos në prag të festave të majit, të mos dalin nga shtëpitë e tyre pa nevojë, të mbajnë distancën, si dhe të bartin pajiset mbrojtëse.