Site icon Telegrafi

Konfirmohen edhe dy vdekje në veri nga coronavirusi, shkon në 24 numri i viktimave në Kosovë

Dy persona kanë vdekur si pasojë e coronavirusit në veri të vendit në 24 orët e fundit,  ndërsa  janë regjistruar edhe dy raste të reja të infeksionit.

Katër persona të tjerë janë shëruar nga ky virus, tha në konferencë për media epidemiologu serb, Aleksandar Antonijeviq, raporton Kossev.

“Në repartin e kraharorit torakal të Mitrovicës ndërroi jetë një grua nga Leposaviqi (1948), e prekur nga COVID-19, por vdiq nga pasojat e infarktit të miokardit. Ajo u testua në mbrëmje dhe ishte pozitive për coronavirus”, tha Zlatan Elek nga spitali në veri të Mitrovicës.

Viktima e dytë është një grua tjetër nga Zubin Potoku (1947), e cila ndërroi jetë në Kragujevc dhe që po ashtu kishte sëmundje shoqëruese.

Deri më tani, në veri të vendit nga coronavirusi kanë vdekur 8 persona, ndërsa gjithsej në Kosovë numri i viktimave ka shkuar në 24.

 

Exit mobile version