Festa e Vjeljes së Rrushit, Festivali “Hardh Fest”, edicionin e kaluar shënoi një sukses të madh, ku numri i pjesëmarrësve arriti mbi 61 mijë vizitorë nga mbarë bota.
Festivali që sjell më së shumti turistë në Kosovë, Hardh Fest, këtë vit po vjen me një ndryshim të madh.
Për herë të parë, ky festival tradicional do të mbahet në muajin Gusht, konkretisht në datat 16, 17 dhe 18 gusht, në Konak të Rahovecit dhe është jubileu i pesëvjetorit të ribrendimit të festivalit më të vizituar ne Kosovë.
Hardh Fest sjell një nga eksperiencat më të bukura jetësore për të gjithë ata që e vizitojnë festivalin, duke nisur nga mikpritja Rahoveciane deri te Hardh Campi që ka një pamje të bukur të vreshtave të Rahovecit, e më pas ka aktivitete të cilat kanë për qëllim promovimin e prodhimeve të rrushit por edhe mjedisit, kulturës dhe artit, një ngërthim ky që tashmë është shndërruar në storie suksesi.
Festivali organizohet nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi si dhe në përkrahje të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe sponsorëve të festivalit.