Telegrafi

Konfindustria vlerëson Vala-n si kompani serioze

Konfindustria ka vlerësuar “Vala”-n, si operator cilësor që ofron shërbime me kosto ndjeshëm më të ulët sesa ajo që ofrohet tashmë në tregun e ngjashëm të Shqipërisë dhe njëkohësisht me cilësi mjaft të mirë.

“Konfindustria e vlerëson veprimin e garimit të PTK-së për të qenë e pranishme në tregun e Shqipërisë si lëvizje strategjike, largpamëse dhe mjaft e dëshiruar e vendimmarrjes politike të Kosovës drejt krijimit të Tregut të Hapur Mbarëshqiptar në përfitim afatgjatë të nxitjes së zhvillimit ekonomik të hapësirave shqiptare”.

Konfindustria po ashtu ka vlerësuar se lëvizja e mësipërme e vendimmarrjes politike të Kosovës është e domosdoshme në kushtet e krizës globale me pasoja të ndjeshme edhe në ekonomitë e Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në proces integrimi në BE.

Nisur nga domosdoshmëria e përmirësimit të funksionimit të tregut të telefonisë së lëvizshme në vend, Konfindustria këshillon ekzekutivin shqiptar për përzgjedhjen sa me të kujdesshme dhe sa me të shpejtë të operatorit të 4 në Shqipëri.

“Hyrja e operatorit të 4 do të shënojë liberalizimin real të tregut strategjik të telefonisë së lëvizshme në dobi të uljes së kostove dhe rritjes së cilësisë së shërbimit për bizneset dhe qytetarët”. /Telegrafi/