Telegrafi

Konfindustria: Kriza ekonomike ka prekur industrinë

Duke u bazuar në të dhënat e industrive më të rëndësishme të vendit, Konfindustria vlerëson se pothuajse në të gjithë sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve, që nuk janë pjesë e financimeve publike të garantuara, janë dhënë shenja të qarta të problematikës në rritje.

“Vështirësitë kanë filluar të ndjehen në 6 mujorin e dytë të vitit 2008 dhe janë shprehur në 2 forma kryesore: -fillimisht në uljen e nivelit të shitjeve (në vlerë dhe njësi), – më pas në uljen e prodhimit (në vlerë dhe njësi)”, thuhet në njoftimin për shtyp të Konfindustrisë.

”Sektorët më të prekur nga pasojat e krizës në 6 mujorin e dytë të vitit 2008 (në vlerë dhe njësi) vlerësohet të jenë: Industria e prodhimit të mineraleve, Industria metalurgjike, Industria e materialeve të ndërtimit, Industria mekanike, Industria e prodhimit të pijeve alkoolike/birrës, Industria e përpunimit të mishit”, vazhdon njoftomi për shtyp i Konfindustrisë.

Konfindustria vlerëson se rreziku më i madh për industritë shqiptare të prodhimit dhe të shërbimeve paraqitet nga rritja e ndjeshme e konkurrencës të prodhimeve të vendeve të tjera në kushtet e luftës për tregje tashmë të varfëruara rajonale, europiane dhe globale.

“Konfindustria vëren me shqetësim se kostot bazë të prodhimeve dhe shërbimeve vendore janë në rritje, nëse do të krahësohen relativisht me kostot e ngjashme të vendeve konkurrente të rajonit. Sa më sipër vërehet sidomos në kushtet e uljes së thellë të çmimeve të lëndëve të para kryesore në tregjet ndërkombëtare të pasqyruara mjaft zbehtë në tregjet respektive shqiptare”.

Për Konfindustrinë, problem shqetësues janë edhe termat e kredidhënies relativisht mjaft të shtrenjta në tregun bankar shqiptar.