“Të persekutuarit dhe të burgosurit politikë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë” do të jetë tema e konferencës shkencore që do të organizohet nga Shoqata për kulturë “Tradita” nga Tetova. Këtë e bënë të ditur sot në një konferencë për shtyp, kryetari i kësaj shoqate, Selam Sulejmani dhe kryetari i Këshillit organizativ të konferencës shkencore, profesor Xhelal Zejneli, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Në këtë manifestim tashmë tradicional, përpos shënimit të kësaj date historike që përfaqëson lëvizjen e fuqishme shqiptare të organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake, ndarjes së Çmimit kombëtar “Ali Vishko” që jepet për veprimtari jetësore dhe për arritje të veçanta në fushën e shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare, anëtarësia e Shoqatës sonë, bashkëpunëtorët tanë, intelektualë dhe studiues të njohur nga vendi ynë, nga Republika e Kosovës, nga Kosova lindore dhe nga Republika e Shqipërisë, bashkërisht kemi vlerësuar që në kuadër të programit të manifestimit të lartpërmendur, të organizojmë konferencën shkencore me temë: “Të persekutuarit dhe të burgosurit politikë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë”, deklaroi Selam Sulejmani./Telegrafi/