Në organizim të Shoqatës për zhvillimin e sipërmarrësisë dhe turizmit Koncept plus – Shkup sot u mbajt konferenca “Krijimi i liderëve të rinj sipërmarrës” në kuadër të ngjarjes globale LEAP summit 2017, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Mesazh kryesor në konferencë ishte se të rinjtë duhet të besojnë në vete dhe të mos kenë frikë të fillojnë të punojnë dhe të krijojnë kompaninë e tyre. Sfidat të cilat paraqiten, siç theksuan pjesëmarrësit, është vetëm një motiv më shumë të punojnë dhe t’i realizojnë qëllimet e tyre.
Samiti LEAP ka për qëllim t’i afrojë njerëzit nga e mbarë bota në një vend dhe të mësojnë së bashku me qëllim që t’i zgjidhin sfidat më të mëdha të kohës sonë, njofton AIM.
“Unë kompaninë time e kam themeluar në moshën 19 vjeçare dhe në asnjë moment nuk jam bërë pishman që e bëra këtë hap, besoja në vete dhe mundësitë dhe kapacitetet e mija dhe për këtë gjithmonë shkoj përpara”, tha konsulenti, Zoran Vitanov.
Edhe Zoran Nasteski nga kompania Inception tha se në asnjë moment nuk ka qenë në mëdyshje për të hapur kompani të veten. “Besimi dhe përkushtimi im më çuan drejt asaj të themeloj kompaninë time në Luginën e Silikonit”, shtoi ai.
Partner në organizimin e konferencës është Rajoni planor i Shkupit. /Telegrafi/