Site icon Telegrafi

Presidentja Osmani dekoron Dr.Rexhep Bojën për shërbimin e jashtëzakonshëm si udhëheqës shpirtëror, patriot dhe diplomat

(E plotësuar) – Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka organizuar një konferencë shkencore në nderim të ish-myftiut dhe ish-diplomatit të shquar të Kosovës, Rexhep Boja, i cili ka ndërruar jetë në shtator të vitit 2021.

Konferenca është e titulluar “Myftiu dr. Rexhep Boja – prijës vizionar dhe burrështetas i shquar”.

Ish-sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Islamik: Rexhep Boja ishte i mençur por shumë modest

Nëse vlerat njerëzore dhe niveli intelektual e patriotik përfaqësohen nga njerëzit me të cilët je shoqëruar, atëherë prania në Kosovë e akademikut turk, Ekmeledin Ihsanoğlu, tregon se çfarë figure ishte Rexhep Boja.

Ish-sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Islamik nuk heziton të shprehë vlerësimet më të larta, për ish-kryetarin e Bashkësisë Islame, më vonë ambasador i Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite.

“I nderuari Boja është një personalitet për t’u përgëzuar, sepse ai në shekullin e fundit, apo në dhjetëvjeçarin e fundit ka dalur si një figurë shumë interesante, dhe e rëndësishme për Pavarësinë dhe Lirinë por edhe për përgatitjet e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ishte shumë i menqur, gjithashtu shumë i zellshëm, mirëpo ishte shumë modest”, ka thënë Ihsanoğlu.

Ihsanoğlu e ka të freskët kujtesën, sidomos për kohët kur Boja e shfrytëzonte çdo lidhje për të kontribuar për shtetin e ri, për lirinë e së cilës nisi të punojë që nga gjysma e dytë e viteve ’80.

“Pasi është zgjedhur Myfti ka ardhur në Stamboll për të më vizituar në organizatën islamike IRSIKA dhe aty kemi krijuar raporte të ngrohta. Unë e njoftova atë me njerëzit që e donin Kosovën, po ashtu edhe me arenën e botës Islame atje. Dhe kur unë u bëra Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës Islamike u rrënjëzua dhe u fuqizua pak më tepër bashkëpunimi ynë. Dhe dua ta theksoj sepse Qeveria e Kosovës mori një hap të rëndësishëm që një Myfti të Kosovës më pas ta bëjë një ambasador në Riad”, ka shtuar Ihsanoğlu.

Akademiku Ekmeledin Ihsanoğlu, ishte pjesëmarrës në ditën e parë të konferencës dy-ditore shkencore, e organizuar nga Bashkësia Islame, me rastin e tre vjetorit të vdekjes së intelektualit e patriotit, Rexhep Boja.

İhsanoğlu është deputet në Asamblenë e Madhe Kombëtare Turke në Stamboll, ndërsa në vitin 2014, ka qenë kandidat për President të Turqisë ku doli i dyti në votime.

Presidentja Osmani dekoron Dr.Rexhep Bojën për shërbimin e jashtëzakonshëm si udhëheqës shpirtëror, patriot dhe diplomat

Në emër të Presidencës, Bekim Kupina tha se Dr.Rexhep Boja ishte një klerik i urtë, diplomat dhe mbi të gjitha një humanist që me veprimet e tij la gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit tonë.

“Ai udhëhoqi Bashkësinë Islame në një kohë kur vendi po përballej me sfida të mëdha. Nën udhëheqjen e tij Bashkësia Islame e Kosovës shpalli pavarësinë e saj nga autoritetet fetare të ish-Jugosllavisë në vitin 1993. Ky ishte një akt historik dhe i guximshëm për afirmimin e identitetit tonë”.

Megjithatë Kupina thotë se veprimtaria e Bojës shtrihej jashtë jetës fetare.

“Dr.Boja pati rol aktiv në pajtimin e gjaqeve gjatë viteve 1990. Ai bashkë me një grup patriotësh, myslimanë e katolikë por edhe intelektualëve të të gjitha profileve, kontribuuan për pajtimin e shumë familjeve që ishin në gjak”.

Përfaqësuesi i Presidencës tha se kontributi i Bojës ishte i madh edhe pas luftës.

“Boja pas luftës e barti angazhimin e tij në bashkësinë ndërkombëtare duke u bërë ambasador në Arabinë Saudite ku forcoi lidhjet botën, e sidomos më botën arabe’, deklaroi Kupina.

Kupina tha se në nder të përkushtimit të tij ndaj vendit, Presidentja Vjosa Osmani ka vendosur ta dekorojë Dr.Rexhep Bojën për shërbimin e jashtëzakonshëm si udhëheqës shpirtëror, patriot dhe diplomat.

“Dekorata do të jetë një mirënjohje e përpjekjeve të tij për ta promovuar harmoninë dhe tolerancën ndërmjet nesh, pajtimin dhe përkushtimin në përforcimin e themeleve shpirtërore dhe diplomatike të kombit tonë”, tha mes tjerash Bekim Kupina.

Tërnava: Rexhep Boja dha kontribut shumëdimensional si në jetën fetare edhe atë kombëtare

Në fjalën hapëse myftiu Naim Tërnava pasi falënderoi personalitetet politike të vendit dhe mysafirët e pranishëm në konferencë ka folur për jetën dhe aktivitetin e  ish-myftiut Rexhep Boja.

Ternava thotë se Boja dha kontribut shumëdimensional si në jetën fetare edhe atë kombëtare.

“Kontributi i Dr.Bojës është i pamatshëm. Ai çdo përgjegjësi që e ka pasur mbi supe e ka kryer me plot sukses. Ai me vizionin i tij udhëhoqi Bashkësinë Islame duke e bërë të njohur si në lindje ashtu edhe në perëndim”.

Tërnava tha se Boja mbrojti të drejtat fetare e kombëtare të shqiptarëve në Kosovë.

“Dr.Boja kudo që u paraqit në qendrat kryesore të botës prezantoi gjendjen e vështirë që ishte populli ynë”.

“Në Kuvajt ishim në një tubim të përbashkët në vitin 1996. Boja mbajti një ligjëratë me temën “Kasaphana e ardhshme në Kosovë, pas asaj në Bosnje”. Mirëpo për t’u kthyer në Kosovë duhej të kalonim kufirin me Maqedoninë natën dhe nëpër male, që ishte një rrezik në vete”.

Muftiu tha se Boja në të gjitha paraqitjet e tij ka paraqitur virtytin e tolerancës fetare në Kosovë./Telegrafi/

 

Exit mobile version