Site icon Telegrafi

Konferenca e Berlinit – rikonfirmi i zotimeve

Konferenca e Berlinit në agjendën e vet e kishte perspektiven e qartë që të bashkohet Evropa dhe që ky proces të intensifikohet gjatë këtij viti, si simbolikë e rikujtimeve të dhimbshme të njëqindvjeçarit të Luftës së Parë Botërore.

Mirëpo, Konferenca e Berlint e udhëhequr nga kancelarja Angela Merkel duhet të shikohet e të përshkruhet nga tri dimensione të rëndësishme në sferën e politikëbërjes: 1) në nivel ndërkombëtar; 2) në nivel kontinental, si dhe 3) në nivel rajonal për Ballkanin e në veçanti për Kosovën dhe efekti i saj për shqiptarët ballkanas.

Në nivelin ndërkombëtar Konferenca e Berlinit po tregon posedimin e potencialit të vet që Unioni Evropian ka duke demonstruar aftësitë dhe kapacitetet për të mbajtur balancën në mes superfuqive. UE qartëson haptazi, në këtë kohë kur Rusia po forcon radhët për të pozicionuar si superfuqi, se është i rreshtuar pro politikës demokratike për mbajtjen e stabiliteti dhe paqes, largimin e hendekëve post-komunistë si dhe zhvillimin e ekonomisë brenda dhe jashtë kufijve të saj. Me këtë hap UE po vërteton se është një superfuqi në vete dhe me ndikim në relacionet mes superfuqive tjera të mëdha që janë në duel për t’u pozicionuar në rendin e ri globalist i cili po karakterizohet me shumëllojshmëri të tipareve, por që në sipërfaqe vërehen veçanërisht dy lloje të tipareve: atë të kompromiseve dhe të betejave të dhunshme.

Në nivelin kontinental Konferenca e Berlinit po dëshmon se përkundër vështirësive ekonomike dhe problemeve me të cilat ballafaqohen për unifikimin e qasjes për integrim dhe anëtarësimin e shteteve, Unioni Evropian qëndron besnikërisht në përcaktimin për Pan-Evropën. Orvatjet për ta realizuar aspiratën e ideatorëve të UE-së po vazhdojnë, dhe vetëdijesimin për ta shtyrë këtë proces drejt finalizimit e shprehen pikërisht nga pjesëmarrësit e kësaj konference.

Në nivelin rajonal për Ballkanin, po ashtu nga kjo Konferencë po qartësohen direktivat që shtetet duhet ti zbatojnë për të mirën e këtyre shteteve dhe shtetasve të tyre. Për Kosovën e për shqiptarët ballkanas ky takim i liderëve është një ogurmirë për të mbajtur interesat vitale të zhvillimit kombëtarë në mënyrë paqësore në kuadër të ombrellës pan-evropiane. Paqja e arritur në rajon është një ndër çështjet primare e cila kërkon përkujdesje dhe angazhim të përbashkët, si nga shqiptarët ashtu edhe nga fqinjët e tyre.

Çështja e paqes dhe sigurisë janë të ndërlidhura me zhvillimin e ekonomisë dhe mu për këtë dominon edhe perspektiva e zhvillimit ekonomik për trevën e Ballkanit Perëndimor, që duhet të nxitet dhe të merr një ecje më të hovshëm të zhvillimit që të mund të arrijë ritmin zhvillimor krahas shteteve në UE.

Pesha, në vetësinë e kësaj konference qëndron në rikonfirmim të zotimeve të vazhdueshme se rruga e integrimeve është e vetmja perspektivë që duhet ndjekur.

Definitivisht, krejt në fund mund të thuhet se Konferenca e Berlinit paralajmëron se të dy palët, Unioni Evropian dhe shtetet pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimore kanë për synim një pikëbashkim të forcave për të ardhmen e këtij kontinenti. Kjo aspiratë mund të jetë e qëndrueshme dhe fuqishme kur unifikohet strategjia e veprimit për një të ardhme më të sigurt dhe në paqe, që më pas marrë përmasa rajonale, kontinentale e ndërkombëtare.

 

Exit mobile version