Site icon Telegrafi

Kondilomat ose lythat gjenitale

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Kondilomat janë shumë të shpeshta; konsiderohet se për kah shpeshtësia është infeksioni i dytë që bartet me marrëdhënie seksuale, pas infeksionit me klamidia që është në vend të parë.

Kondilomat janë pasojë e infeksionit me HPV (human papilloma virus). HPV është grup i madh me mbi 100 tipe, por vetëm 30 tipe infektojnë regjionin gjenital. Tipet e HPV që shkaktojnë kondilomat, nuk e shkaktojnë kancerin e qafës së mitrës.

HPV bartet me marrëdhënie seksuale, por edhe përmes kontaktit lëkurë me lëkurë. Pra, një person mund të mos ketë marrëdhënie seksuale me penetrim, por mund ta marrë virusin përmes kontaktit lëkurë me lëkurë.

Mund të kalojnë muaj, por edhe vite deri sa HPV të manifestohet klinikisht.

Kondilomat zakonisht nuk shkaktojnë dhimbje, por shkaktojnë parehati dhe shqetësim të madh psikologjik. Ato duken si puçrra të vogla të cilat mund të jenë të pakta në numër, por mund të jenë edhe me numër të madh dhe të duken si lulelakër.

Te gratë shfaqen përreth vaginës, në qafën e mitrës, brenda në vaginë, si dhe përreth ose brenda anusit. Te burrat shfaqen në penis, skrotum, brenda në uretër si dhe përreth ose brenda anusit.

Diagnostikimi i kondilomave bëhet përmes ekzaminimit me kolposkop si dhe pas trajtimit me acid acetik, kur kondilomat bëhen më të dukshme.

Trajtimi i kondilomave varet nga numri, lloji dhe lokalizimi i tyre. Ka losione ose pomada për trajtimin e tyre (podofilotoksina, imikuimod, acidi trikloracetik), por kondilomat mund të hiqen me djegie që është më efektive te kondilomat e forta. Metodat ablative janë krioterapia, ekscizioni, elektrokirurgjia dhe laseri.

Nuk rekomandohet që të keni marrëdhënie seksuale deri sa kondilomat të shërohen krejtësisht.

Kondomi nuk mbron plotësisht nga kondilomat, sepse nuk e mbulon krejt lëkurën e regjionit gjenital, por edhe për shkak se virusi përhapet përmes kontaktit lëkurë me lëkurë. Sido që të jetë, kondomi është mjeti kontraceptiv më i sigurt ndaj infeksioneve që barten me marrëdhënie seksuale, përfshirë edhe HPV. /Telegrafi/

Exit mobile version