Telegrafi

Koncesionimi i ANP-së mbetet më i miri në regjion

Koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës, krahasuar me aeroportet në regjion,- Shkup dhe Tiranë, ka sjellë efekte më pozitive për vendin se dy aeroportet respektive në vendet e tyre, pothuajse në të gjitha parametrat realë dhe financiarë .

Ky koncesion solli jo vetëm terminalin më modern dhe më të madhin në regjion, mbi 42 mijë metra katrorë, ku janë investuar 130 milionë euro, por edhe të hyra të konsiderueshme për buxhetin e vendit. Kjo për shkak se marrëveshja është më e favorshme, ngase parasheh kompania koncesionare

“Limak Kosovo International Aerport”- LKIA të paguaj 18-55 për qind të të hyrave në buxhetin e Kosovës, apo me një mestarae për njëzet vjet -39.2 për qind. Pagesa ka filluar me tarifat fikse prej 2 milionë eurove për vitin e parë dhe të dytë.

“Buxheti i Kosovës ka përfituar deri më tani 9.8 milionë euro, ashtu siç është paraparë me marrëveshje. Terminali ka 42 mijë metra katrorë nga 25 mijë si ishte paraparë dhe janë investuar 130 milionë euro. Janë 670 punëtorë , apo 100 më tepër se parashihet në kontratë, por janë edhe mbi 100 punëtorë të tjerë të kontraktuar. Të gjitha këto nuk janë realizuar pa probleme”, tha Drejtori i STRAS-it, Ibrahim Rexhepi.

Sipas tij, për dallim nga Prishtina, koncesionari i Aeroportit të Tiranës për tetë vjet nuk i ka sjellë të hyra buxhetit të Shqipërisë, pasi ashtu ishte saktësuar në marrëveshjen. Ai mor për sipër kthimin e kredisë prej 33.8 milionë eurosh, që më parë kishte marrë ky aeroport, kurse që nga vitit 2013 paguan 30 për qind të fitimit pas tatimimit.

Lorik Fejzullahu, drejtor i Departamentit për Partneritet Publiko- Privat, theksoi se janë realizuar objektivat themelore të paraparë me kontratë.

“Tre objektivat themelore janë plotësuar me përjashtim të çështjeve pronësore me KFOR-in. Aeroporti i Prishtinës ka pasur investime të mëdha. Në Shkup një aeroport është hequr nga kontrata. Ndërsa në Tiranë shteti nuk merr tarifë koncesionare nga qarkullim, por nga fitimi. Tek ne tarifa koncesionare merret nga qarkullimi bruto. Ky është një dallim esencial”, tha Fejzullahu.

Sipas tij, edhe numri i punëtorëve është më i madh dhe shkon diku rreth 900, duke përfshirë edhe ata të nënkontraktuar.

Ndërsa për Shkupin ai tha se ka tarifë prej 20 përqindësh, ndërsa në momentin që numri i udhëtarëve shkon në 1 milionë , atë herë tarifa koncesionare bie në 2 për qind. Madje, për të arritur këtë shifër, shteti subvecionon avikomapnitë, që është në kundërshtim me rregullat e tregut të lirë.
“Aeroporti i Shkupit këtë vit arriti ti ketë 1 milionë udhëtarë falë subvencioneve të shtetit. Tani koncesionari do të paguajë vetë m 2 për qind nga qarkullimi. Paramendojeni sa pak është në krahasim me ne”, tha Lorik Fejzullahu.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gë rxhaliu, theksoi se shifrat e prezantuara nga krahasimet me regjion janë inkurajues për vendin. Ai ngriti edhe çështjen e Kosovë të fluturimit që duhet të paguajnë udhëtarët dhe kërkoj uljen e tyre, me qëllim që aeroporti të jetë më konkurrent.
Ndërkaq, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës kërkoj që koncesionari të ketë parasysh moshën e punëtorëve, përkatësisht që të mos dëboj ata që janë në prag të pesionimit. Njëkohësisht, kërkoj respektimin e kontratës kolektive, si edhe të gjitha ligjeve të Kosovës që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës dhe të drejtat sindikale.

Mirëpo, ka edhe disa obligime, për të cilat është dashur të mendohet edhe më herët.

“Në se duhet të marrim ndonjë shembull të mirë, atëherë është Aeroporti i Prishtinës. Problemin e shoh nga ana e Qeverisë , e cila nuk është treguar serioze. Shumë rrallë është takuar Komiteti Mbikëqyrës. Barrierat të cilat janë shfaqur si leje të ndërtimit, apo të tjerat, që duhet të ishin kryer që në momentin e nënshkrimit të kontratës ”, tha Agron Demi nga instituti GAP.
Driton Gjonbalaj, drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës tha se ka kërkuar vlerësimin e incentiaveve apo favoreve që Republika e Maqedonisë është duke i ofruar një aviokompanie, që ka dëmtuar konkurrencën.

“Në se e shohim raportin e progresit për Maqedoninë , Komisioni Europian ka hedhur shqetësime të mëdha për këtë praktikë favorizuese që dëmton konkurrencën. Edhe ne kemi kërkuar nga pala maqedone që të ndërpriten. Ne mendojmë se nuk janë në përputhje me ligjet europian. Është duke u hetuar procesi. Jam i bindur se në fund të të përfitojë konkurrenca në rajon”, tha Gjonbalaj. /Telegrafi/