Telegrafi

Koncesioni i Aeroportit reagime dhe mbështetje

Pas paralajmërimeve të konsorciumit francez “Bouyges Batiment/Egis” se do të bëjë ankesë dhe do të ngrejë një padi për eliminimin nga gara për të marrë me koncesion Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), janë bërë të ditura arsyet e diskualifikimit të këtij konsorciumi. Hans Mohrmann, nënpresident ekzekutiv dhe drejtues i ekipit këshillues NACO të transaksionit për koncesionin e ANP-së, ka thënë se vendimi për diskualifikimin e një konsorciumi është marrë unanimisht nga komiteti vlerësues prej shtatë anëtarësh.

Konsorciumi i diskualifikuar, sipas tij, nuk ka qenë në gjendje të pranonte kushtet e kontratës së PPP-së dhe ka insistuar në bërjen e ndryshimeve në natyrën e projektit dhe në bazën për dhënie të kontratës.

“Gjatë procesit të prokurimit, në dy raste të ndara, ky konsorcium ka propozuar ndryshime të njëjta apo të ngjashme. Qeveria ka refuzuar bërjen apo përfshirjen e atyre ndryshimeve të propozuara në të dyja rastet”, thuhet më tej në deklaratën e Mohrmannit, i cili ka qenë kryesues i komisionit të vlerësimit të ofertave për PPP të ANP-së.