Telegrafi

Koncesionari i Aeroportit largon nga puna drejtorin komercial

Rama, të premten, ka marrë vendimin nga koncesionari i ri i Aeroportit për largim nga puna. Arsyeja, sipas tij, është ankesa, drejtuar menaxhmentit për trajtim jo të drejtë të stafit lokal të punëtorëve. Zyrtarët e Aeroportit nuk kanë dashur të përgjigjen për arsyet e largimit nga puna të Ilir Ramës. Ndërsa mbikëqyrësit e marrëveshjes për koncesionimin e Aeroportit thonë se koncesioneri detyrat dhe përgjegjësitë i ka të parapara në bazë të marrëveshjes për partneritet publiko-privat. Të larguarin e këshillojnë t’i drejtohet gjykatës, nëse vlerëson se i është bërë e padrejtë.

Sipas marrëveshjes për koncesionimin e Aeroportit dhe pikës 9.1.9 (d), koncesioneri i Aeroportit vetëm pas gjashtë muajve të hyrjes në fuqi të marrëveshjes për koncesionim mund të marrë vendim për largim nga puna të punëtorëve, ngaqë mbajnë grada A, B, C1, dhe atë me arsye të dokumentuar.

I kontaktuar, Ilir Rama ka konfirmuar largimin e tij nga puna. Sipas tij, motivet janë shumë të ulëta. “Jam ankuar për trajtim jo të mirë të stafit vendor nga menaxhmenti i ri. Pas kësaj më ka ardhur vendimi për përjashtim nga puna”, tha Rama.

Ai thotë se ka pasur kontratë valide dhe obligimet e tij të punës bazuar në kontratë i ka kryer me ndershmëri. “Unë kam pasur kontratë të punës edhe për 33 muaj, të nënshkruar me menaxhmentin e ri. Nuk di pse u ka penguar ankesa për kushtet e punës”, thotë Rama.

Burimet e gazetës pohojnë se Ramës i ishte ndërruar zyra, për t’u vendosur në një zyre ku nuk kishte dritë natyrale. Gazeta ka kërkuar sqarim edhe nga Zyra për informim e Aeroportit, por nuk ka marrë përgjigje, shkruan Koha Ditore.

Zyrtarët e PPP-së nuk dinë pse duhet reaguar pas largimit të një punëtori të Aeroportit që kishte kontratë valide të punës dhe nuk kishte bërë ndonjë shkelje të rregullit të punës. “Koncesioneri detyrat dhe përgjegjësitë i ka të parapara në bazë të marrëveshjes me PPP. Gjithashtu, duhet të respektohet edhe Ligji i punës. Në të njëjtën kohë, nëse personi në fjalë e parasheh se është larguar pa të drejtë, atëherë mund t’i drejtohet sistemit gjyqësor të Kosovës”, tha Lorik Fejzullahu, udhëheqës i Njësisë për Partneritet Publiko-Privat në Ministrinë e Financave (MF). /Telegrafi/