Telegrafi

Koncesion për hekurudhat dhe portet

Privatizimet kanë rezultuar një praktikë e suksesshme për qeverinë shqiptare, e cila gjatë viteve të fundit ka shitur asetet në sektorët kyç të ekonomisë. Kjo praktikë është konsideruar si mënyra më e lirë për të larguar asete nga duart e shtetit dhe për t’u hapur rrugë investimeve private.

Me përjashtim të kompanisë shtetërore të sigurimeve, INSIG tashmë kanë përfunduar privatizimet në sektorët strategjikë. Shitja e aksioneve shtetërore do të përdoret edhe për hekurudhat dhe portet. Burime zyrtare në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës bëjnë të ditur se përgatitja për këtë proces është edhe një ndër objektivat kryesore të këtij dikasteri.

Sipas burimeve të Ministrisë së Ekonomisë, rruga që do të përdoret për privatizimin e hekurudhave dhe porteve është dhënia me koncesion e tyre. Koncesionet kanë rezultuar shumë të suksesshme në sektorin e energjisë elektrike, ku pas miratimit të ligjit të ri, qeveria ka lidhur deri tani kontratat për ndërtimin e 103 hidrocentraleve.