Nga: Gazmend Krasniqi
Ernest Koliqi përmend kontributet e Justin Rrotës, Eqrem Çabejt, Zef Skiroit apo të Namik Ressulit, por kërkon që të mos ua shohim të gjitha ekzigjencat, sepse para përpilimit të historisë së letërsisë duhen studiuar imtësisht e gjerësisht autorë e qendra letrare me rryma, ndikime të brendshme e të jashtme. Pa monografi mbi autorët dhe shfaqjet e rrymave letrare nuk mund të kemi një historishkrim të letërsisë, sepse më parë duhen të derdhen në lum kombëtar burime e shena letrare veçuese e të veçanta.[1] Sipas tij, çdo kontribut duhet të gjejë vendin dhe peshën e vërtetë, pa anësi, me një rend kronologjik, pa marrë parasysh kritere gjeografiko-historike – toskë, gegë, arbëreshë, kosovarë janë pjesëtarë të një përpjekjeje letrare (ai kujton se këtë kriter kishte ndjekur në punimin Antologia della lirica albanese, Milano 1963.
Koliqi i vihet shtjellimit të konceptit të shkollave letrare: konkretisht, asaj jezuite dhe asaj françeskane, që i dhanë letërsisë shqipe njëra Ndre Mjedjen e tjetra Gjergj Fishtën. Ai shpjegon që në fillim se fjalën shkollë e përdor në kuptimin rrymë. Pra, flasim për dy rrymba letrare të ndryshme, secila me theorina të caktueme të veta.[2]
Me këtë shtjellim Koliqi realizon disa afirmime, të cilave nuk mund t’u shmanget një historian i letërsisë shqipe:
1. Afirmimi i konceptit të shkollës letrare jezuite.
Duke pohuar se dallimet mes tyre janë relative, Koliqi merret me shtjellimin e veçorive, duke gjetur te shkolla jezuite (Xanoni, Mjedja, Thaçi) tonin e stilin e lartë dhe ndjekjen e modeleve të autorëve që bota i mban si shembuj përsosjeje letrare. Autorët e kësaj shkolle synonin:
– Prej gjuhës së palëvruar, të arrinin në lartësitë e hartimit letrar ku u kapën kombet e tjera.
– Duke lënë pas dore trajtat popullore dhe frazeologjitë e zakonshme, ata shkruanin për një elitë të zgjedhur.
– Argumentet i merrnin nga librat (duke gjetur aty edhe frymëzimin nga dijet e tyre kulturore dhe historia e lashtë e Shqipërisë). Edhe kur shkruan Andrrën e jetës, ngjarjet e përditshme të një katundi shqiptar Mjedja nuk i pasqyron me frazeologjinë e vendit, por me trajta të rralla e të çmueshme nëpër të cilat lëvizë atmosfera e hollë i nji arti epruer.[3]
Siç thotë Koliqi: Shkolla e Jezuitvet solli në letrësin kombëtare dishiplinën e artit, kultin e trajtës, kërkesën e fjalve të rralla e të çmueshme ndër teksta të vjetër dhe në fjalorë.[4]
Meqë kjo poezi nuk është e popullarizuar, ia vlen të përdorim ilustrimin që bën Koliqi, pra, përkthimin e eklogës së parë të Virgjilit nga Xanoni:
O plak fatbardh! Njiktu ndër luma t’njoftun
Ndër gurra shejte, nëpër hije flladin
Ke per t’a gzue. N’kët anë, i skajit afër
Gardhi, pada kur me i a thith’ vijnë bletat
Fluturim shelqes lulen, shpesh ma t’ambla
Fershellima për gjum‘ ty ka me t’ndjellun.
Ilustrimin e plotësojnë edhe këto vargje origjinale të Thaçit:
Arbnori i lum jetoi: me t’shugurumen
Gjalm’ t’rreligjionit ndër kuvise i lidhun,
Ku veç mbretni për t’larta punë dishiri,
Ti i ndishe fjal’t tue ligjirue si mjalta;
2. Afirmimi i konceptit të shkollës letrare françeskane
Krejt ndryshe prej kësaj të folmeje – pa trajta të zakonshme e frazeologji popullore – do ta bëjë Koliqi përcaktimin e shkollës së dytë: Gjuha shqipe sikur asht e pasun me skaje e fraza ku idhnimi e mënija shfrejnë me ma të madhën gjallni, ashtu ka mundësi të lakohet e të përkulet në shprehje dy kuptimesh, ku xixëllon ironija edhe ku fjala në gjinin e vet, qi duket i mitun, përmban thumbin ma shporues. Kush njef kuvendet e Malsorvet t’onë, din deri ku arrin zotsija e tyne me derrmue parashtresat e njaj kundërshtari me gjuhë që therë e pret. Kët krypë të bisedës shqiptare Françeskajt e derdhën në letrat t’ona.[5]
Ose: Shkolla e Françeskajvet i a hapi dyert e letrësis s’onë visarit shprehës populluer, i fali tharmin e krenìs shqiptare, gjuhën e ndiesive burimore e fisnike të malevet.[6]
De Martino, paraprijës i kësaj shkolle, shkruan:
Pra, mos t’dhimbet nji fërlik,
Për dashtni t’ka ardhë ky mik
Me t’ba nderë e jo me t’fik’.
Si t’kesh mish, venë e raki,
Mrapa, ishalla, për dhunti
Na çon Zoti nji tepsi.
Kësaj mënyre të shkruari Fishta do t’i shtonte nervin karakteristik, qoftë në epikë, qoftë në satirë. Vargjet e mëposhtme të Fishtës, që mbartin këtë “krypë” të bisedës shqiptare, janë të njohura për shumëkënd:
Po shka, Zot – ka Mashi sot,
Qi n’a vra – e nuk po ban za?
3. Afirmimi i konceptit të autorit “dytanak”
Për të bërë historinë e letërsisë shqiptare, vazhdon ai, duhen studiuar gjerësisht autorë e qendra letrare, me rryma e ndikime të brendshme e të jashtme, duke sqaruar se kjo nuk bëhet për qëllime ndarjeje, por për sqarime fazash. Thamë se shembullin tipik të autorëve “dytanakë”, i cili më tepër është fenomen i historisë letrare, sesa i historisë së letërsisë, Koliqi e gjen te Kolë Thaçi. Ai e shikon atë si dishepullin ma besnik të Anton Xanonit dhe librit të këtij të fundit Prisi në lamë të Letratyrës, ndërsa veprat e tij si pasqyra ku virtytet dhe të metat e shkollës që përfaqëson spikasin më qartë se kudo, mbasi qi në to mund të shohim e kundrojmë deri ku i ban gjuha shqipe disa hire retorike, të rëndomta ndër gjuhë të mëdhaja.[7]
Sepse Thaçi i çeli shtegun me stil poetik të vetin të zgjedhun e të përpunuem mundësis së përkthimit të veprave të mëdha klasike (Homeri, Virgili etj.). Si poet nuk la emën, si pionier i naltësimit të shqipes në mjet t’aftë për çdo provë të lartë artistike duhet të zajë nji vend të shënueshëm.[8]
Ky është përcaktimi që i bën Koliqi si njeri i letrave: Rrallë përsosmnija metrike, mjeshtria vargëtuese, lakimi i hapët e i zhdërvjellët i fjalive, qi ndeshim në Thaçin, gjendet ndër vargëtarë tjerë, përveç se në Mjeden e ndoshta në Lasgushin e Zef Skiroin.[9]
Koliqi përfundon: Me at pregatitje teknike letrare e gjuhsore, po t’a kishte rrëmbye flatra e një përftimi poetik të fuqishëm, edhe Mjeden do t’a kapërcente.[10]
Afirmimi i koncepteve pastërtish letrare po bëhej përballë një historiografie letrare tejet të politizuar dhe ideologjizuar, sepse ndodhi ajo që mund ta kishte frikësuar Koliqin: përgatitësit e punimit Historia e letërsisë shqipe I – II, Tiranë 1959 do t’i shanin punimin Shkrimtarë shqiptarë I – II 1941 (për të cilin vetë Koliqi shprehej mirë), me argumentin se vepra u karakterizua nga një frymë e shtrembër ideollogjike dhe politike[11]. Në fakt, vetë punimi që shante, hapej me dy-tri faqe elozhe për Partinë e Punës të Shqipërisë dhe përgatitjen marksiste-leniniste të kuadrove që do të bënin këtë punë, para se të arrinte në shpërfaqjen e kritereve të veta.[12] Siç do të bënte edhe botimi tjetër, Historia e letërsisë shqiptare (1983), që harron të përmendë kritere, por nuk harron të përmendë se në bazë të gjithë kësaj pune qëndrojnë mendimi teorik i PPSH dhe veprat e shokut Enver…[13]
Disa nxjerrje e futje shkrimtarësh për interesa të ngushta, te një letërsi që për herë të parë i kishte mbledhur shqiptarët në një organ kulturor rreth vitit 1900 (Albania 1897-1909), do të ishin vetëm të dëmshme, pasi e përçudnonin në mënyrë të pariparueshme objektin nga duhej të dilte historishkrimi letrar shqiptar. Si pasojë e ideologjizimit dhe politizimit të skajshëm, si dhe ngatërrimit metodologjik, botimi me titull Historia e letërsisë shqiptare të realizmit socialist (Akademia e Shkencave, IGJL. Tiranë 1978), do të bënte ikjen më të skajshme nga mendimi i traditës. Kriteri i saj kryesor – ai tematik – do të ndihmonte për fshirjen e plotë të teksteve e emrave që nuk i përgjigjeshin hullisë kryesore, duke e çuar studimin shqiptar në një rrugë pa krye.[14]
Për historianin letrar ngrihet pyetja: a janë të prerë plotësisht kufijtë midis këtyre dy shkollave, që veprojnë kaq pranë njëra-tjetrës? Fishta shkel “kufijtë” midis tyre, kur shkruan poezinë e famshme “Nji lule vjeshtet”, te e cila përdor atë varg të futur në letërsinë shqipe nga Xanoni – pra njëmbëdhjetërrokëshin e zbërthyer. Mjedja, në një farë mase, i shkel këto “kufij” kur shkruan Andrrën e jetës, te e cila kërkon të kapë frymën e thjeshtë të jetës shqiptare, duke e vënë dialogun e personazheve pranë gjuhës së folur.
Është vetë Koliqi që thotë: Mjedja për pregatitje e prirje e qëllime artistike asht ma afër Zef Skirojt se Fishtës dhe tjerve shkrimtarë shkodranë; Koliqi asht shumë ma afër Lasgush Poradecit se Prennushit e Bernardin Palajt; Shantoja në prozë asht shumë ma afër Konisës se Anton Harapit. Tue mos lanë mbas dore lidhjet e domosdoshme krahinore, shkaktue nga kushtet e kohës, të vëhen në dukje gjasimet e prirjeve stilistike dhe analogji në mes autorve e qendrash letrare të ndryshme.
Gjithsesi, është e rëndësishme, siç thotë Koliqi te punimi “Fryti i dy shkollave letrare shkodrane”, se: Lavrimi i gjuhës, mbledhja e shprehjeve nga goja e popullit, përpjekjet e parreshtuna stilistike, shembujt e letrësivet të hueja, influksi i trajtave ma moderne i a thyen ashpresìt dhe lakuen mjetin letrar në mënyrë qi çdo argument të mund të zhvillohet sot pa vishtirsi.[15]
Padyshim, për sa i përket çështjeve të lartpërmendura, Koliqi mbetet një pikë e fortë referimi për historiografinë letrare shqiptare. /Revista “Palimpset”/