I pari nga katër konceptet e reja që Nissan do të prezantojë në Tokio është Hyper Urban.
Është flamurtar i linjës Urban, i quajtur kështu sepse, siç thotë Nissan, “ata duan të rrisin eksitimin që këto vetura sjellin tek shoferët”.
Secili prej koncepteve të reja do të prezantohet me simbolikën e vet dhe do të ketë “tipare të personalizuara që i shtojnë vlerë stileve unike të jetesës dhe aspiratave të ndryshme”.
Hyper Urban tërheqës është projektuar me një numër karakteristikash të çuditshme që janë “të guximshme ndërkohë që përzihen në mënyrë efektive me mjedisin”, shpjegoi kompania japoneze.
Trupi është i lyer në një nuancë të veçantë kromatike të verdhë dhe ngjyra ndryshon në varësi të këndit të dritës që bie mbi të.
Vetë dizajni është krijuar për të dhënë efikasitet aerodinamik optimal, dhe gomat e gjera, tha Nissan, duhet të “përfundojnë pamjen sportive”.
Brendësia është frymëzuar nga trekëndëshat kaleidoskopikë dhe përmban një panel të personalizueshëm dhe ekran info-argëtimi. Ka edhe ulëse të përparme që palosen dhe krijojnë kështu përshtypjen e të ulurit në një “divan”.
Nissan kohët e fundit tha se do të ndalojë shitjen e veturave që nuk janë 100 për qind elektrike në Evropë në vitet e ardhshme dhe në përputhje me premtimin e saj, do të prezantojë 19 automjete të reja elektrike gjatë shtatë viteve të ardhshme. /Telegrafi/