Telegrafi

Koncensionet, shkarkohet sekretari i përgjithshëm i METE-s

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE) njoftoi se së bashku me rajën është liruar nga detyra edhe drejtori I kabinetit Gjergji Kosta, që do të zëvendësohet nga Majlind Lazimi. “Largimi nga detyra e funksionarëve të kësaj ministrie bëhet në përputhje të plotë me ligjin për “Statusin e Nëpunësit Civil,” ka thënë ministria në një njoftim për media, raporton gazeta Panorama.

Koncensionet janë një çështje tepër e ndjeshme që prej vitit të kaluar, ndërkohë që prokuroria është duke hetuar për të paktën 90 të tilla. “Për sekretarin e përgjithshëm Durim Kraja kishin mbërritur raportet e KLSH-së, si dhe raportet e auditit të brendshëm të vitit 2008 së bashku me dy raporte të vitit 2009 në fushën e koncesioneve dhe gjendjen e protokollimit. Auditi i Brendshëm do të verifikojë të gjitha procedurat e bëra deri tani dhe për çdo shkelje që do të konstatojë materialet do t’i kalojnë prokurorisë,”
thuhet në njoftim.

Ndërkaq, me urdhër të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço të gjitha shoqëritë e tregtimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj do të kalojnë sitën e kontrollit. Sipas Panoramës, pas shqetësimeve të adresuara pranë kësaj ministrie për cilësinë e karburanteve që tregtohen në vend, ky institucion ka ngritur një grup pune që do të merret me verifikimin e të gjitha kompanive tregtuese të naftës bruto në vend.

“Të zbatohen me rigorozitet të gjitha sanksionet që parashikon ligji, nga vendosje gjobe deri në heqjen e lejes së tregtimit apo të autorizimit përkatës për ushtrimin e veprimtarisë,” mësohet të ketë kërkuar Naço.

Ndërkohë, Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve ka reaguar pozitivisht menjëherë pas publikimit të urdhrit të ministrit të Ekonomisë, e cila ka theksuar nevojën e vendosjes së kushteve të barabarta për të gjitha subjektet që importojnë karburante apo i prodhojnë ato në vend. /Telegrafi/