Telegrafi

Komuniteti serb i Rahovecit nuk e lejon Labinot Rexhën ta xhirojë klipin

Edhe një incident mes artistëve shqiptar dhe komunitetit serb.

Labinot Rexha ka pasur probleme gjatë xhirimeve të videos së këngës së re.

Në fakt, artisti është penguar gjatë xhirimit të videos së këngës së re në një lagje të serbëve në qytetin e Rahovecit.

Ai ka thënë se gjatë xhirimeve janë kërcënuar dhe se janë larguar nga policia e Kosovës.

“Jemi kërcënuar se ajo është pronë e Republikës së Serbisë dhe çdoherë do të mbetet ashtu, qëllimi ynë ka qenë ta përcjellim mesazhin me konceptin e klipit ne përshtatje të objekteve më tradicionale për përcjelljen e nuses”.

“Në mesin e valltarëve shumica kanë qenë shumë të rinj, janë frikësuar deri në atë masë sa na kujtonte kohën nën trysninë e okupatorit. Klipi në fjalë nuk ka pasur motive politike, po kënga ka motive tradicionale dhe përshkrimin e traditave tona me rastin e dhënies dhe përcjelljes së nuses. Pas brohoritjeve ‘Serbia,Serbia…’ dhe brohoritjeve tjera me motive nacionaliste, erdhi policia e cila nuk na e mbajti anën, por na largoi nga aty dhe nuk na e mundësoi përfundimin e klipit”, ka shkruar ai në Facebook.

Rexha në fund ka pyetur se a është Kosova në të vërtetë vend i lirë. /Telegrafi/