Site icon Telegrafi

Komuniteti malazezë për herë të parë përfshihet në regjistrimin e popullsisë në vitin 2021

Komuniteti malazez për herë të parë në Kosovë, do të jetë i përfshirë në regjistrimin e popullsisë, pasurisë dhe banesave, që do të mbahet në vitin 2021.

Sipas njoftimit nga Agjencia e Statistikave dhe Zyra e Kryeministrit, shoqata e malazezëve të Kosovës, si iniciatori kryesor i kërkesës që malazezët të jenë të përfshirë në këtë regjistrim si të gjitha komunitetet tjera, do të marrë pjesë në debatin dhe punimin e draft dokumentit, me theks të veçantë në definimin e problemit, shkakun, pasojat dhe ndryshimet.

Në njoftim thuhet se të dhënat nga ky regjistrim do të jenë të rëndësisë së veçantë për mbijetesën e komunitetit malazez në Kosovë, për të drejtën tonë kushtetuese dhe pozicionimin institucional, sikur edhe për kthimin e të zhvendosurve dhe pronës së uzurpuar.

Ky do të jetë instrument i rëndësishëm për zhvillimin dhe rishikimin e politikave socio-ekonomike, politikave të krijimit të vendeve të punës, zhvillimin e infrastrukturës, investimet dhe shërbimet tjera, sikur për komunitetin tonë, po ashtu edhe për vendin ku jetojmë dhe punojmë.

Sipas komunikatës, pasi që në regjistrimin e kaluar të popullsisë, me komunitetin malazez nuk kanë qenë të regjistruar personat e zhvendosur, apelojmë tek institucionet e Kosovës dhe Malit të Zi që me forca të përbashkëta ta gjejnë mekanizmin që të regjistrohen edhe personat e zhvendosur në Mal të Zi, që janë qytetarë kosovarë, në mënyrë që të përmirësohet padrejtësia e bërë më parë./Telegrafi/

Exit mobile version