Site icon Telegrafi

Komuniteti LGBTI me sy nga Kuvendi

Foto: Arkiv

Çështja e rregullimit të martesës apo “bashkësive të regjistruara civile” për personat e gjinisë së njëjtë në Projektkodin Civil, pritet të nxisë përplasje pikëpamjesh jo vetëm në Kuvend të Kosovës, por edhe jashtë tij.

Leximi i parë i Projektkodit Civil, që ishte paraparë muajin e kaluar është shtyrë, dhe ky lexim do të bëhet në seancën e së mërkurës, më 16 mars, thotë për Radion Evropa e Lirë, Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo në pushtet.

Ajo thekson se debatet lidhur me çështjen e rregullimit të martesës dhe “bashkësive të regjistruara civile”, janë të pritshme në Kuvend, si pjesë e procesit demokratik të shqyrtimit të cilitdo projektligj apo projektkod. Por, sipas saj, ende nuk dihet pozicionimi i partive politike lidhur me këtë materie të Projektkodit Civil dhe gjithashtu nuk e ka bërë të ditur as pozicionin e grupit të saj parlamentar.

“Në fund të ditës e përcakton vota atë që miratohet në lexim të parë ose jo. Gjithmonë ka mundësi për plotësim të amendamenteve dhe ajo është procedurë e rregullt ligjore e njëjtë. Tash është vetëm shqyrtimi në lexim të parë dhe pas miratimit në lexim të parë, ai hyn në procedurë të amendamentimit”, thotë Kusari-Lila.

Projektkodi Civil thotë se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Por, neni i radhës thotë se “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.

Në Kushtetutën e Kosovës thuhet “se në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Demolli: Shpresa e komunitetit, te deputetët e Kuvendit

Në muajin shkurt, por edhe më herët, organizatat e joqeveritare që merren me të drejtat e komunitetit LGBTI (Lezbiket, Homoseksualët, Biseksualët, Transgjinorët dhe Ndërseksualët), kishin reaguar ndaj këtij paragrafi, duke thënë se ky komunitet nuk do të pranojë termin “bashkësi civile” dhe se Projektkodi Civil nuk i ka përfshirë kërkesat për përdorimin e gjuhës neutrale në rregullimin e martesës, duke vazhduar trajtimin përjashtues ndaj këtij komuniteti.

Në janar të këtij viti, mbi 60 organizata të shoqërisë civile, individë dhe aktivistë, u janë bashkuar, siç është thënë, procesit të gjatë të evokimit për rregullimin e martesës për personat e seksit të njëjtë në Projektkodin Civil.

Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, që është pjesë e rrjetit të organizatave joqeveritare që mbështesin komunitetin LGBTI, thotë se që nga viti 2016 organizatat joqeveritare kanë avokuar që të njihet e drejta e martesës për personat e seksit të njëjtë, gjë që sipas saj, garantohet edhe me Kushtetutën e Kosovës.

Ajo thotë se tash për tash mbështesin shpresat që deputetët e Kuvendit të Kosovës, gjatë miratimit të Projektkodit Civil, ta respektojnë Kushtetutën, me të cilën edhe janë betuar dhe të votojnë për të drejtën e barabartë për martesë të secilit person në Kosovë, përfshirë edhe ata të gjinisë së njëjtë, dhe jo që ata të sanksionohen me “bashkësi civile”.

“Unë di që ka parti politike që janë më konservatore, ka parti politike që nuk kanë folur për këto tema asnjëherë. Por, shpresoj shumë që kanë pasur kohë që të lexojnë, të reflektojnë dhe t’i japin të drejtë të drejtave të njeriut në Kosovë. Pra, t’i japin të drejtë dhe të mos i kthejnë në regres, sepse është punuar shumë që këto të drejta të njihen me Kushtetutën e Kosovës”, thotë Demolli.

Ajo shton se në rast se deputetët e Kosovës, edhe në leximin e dytë të Projektkodin Civil, por edhe në miratimin e tij si Kod, nuk e shtyjnë përpara të drejtën ligjore për martesë të personave të gjinisë së njëjtë, atëherë çështja do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Bashkësitë fetare kundër martesave të së njëjtës gjini

Muajin e kaluar, udhëheqësit e katër bashkësive fetare në Kosovë, Bashkësisë Islame, Kishës Katolike, Kishës Protestante Ungjillore dhe Bashkësisë Hebraike, kanë bërë thirrje që në Projektkodin Civil të mos bëhen ndryshime në përkufizimin dhe interpretimin për familjen, martesën dhe statusin e bashkëshortëve.

“Me bashkimin apo bashkëjetesën e dy personave me gjini të njëjtë, nuk mund të pajtohemi kurrsesi që ta quajmë as martesë dhe as kurorëzim dhe jemi kundër orientimit që këta individë që lidhin bashkëjetesë, të adoptojnë fëmijë”, është thënë në reagimin e katër bashkësive fetare në Kosovë.

Luci: Martesa, shpikje njerëzore

Pikëpamje të ndryshme lidhur me çështjen e definicioneve për martesën dhe familjen, kanë edhe Nita Luci, antropologe dhe Ismail Hasani, sociolog.

Nita Luci, profesoreshë e Antropologjisë në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se përkufizimi dhe praktikat rreth martesës janë gjithmonë kulturore dhe është normale që mund të ketë përplasje pikëpamjesh rreth tyre.

Ajo shpreh mendimin se martesa është shpikje shoqërore, e cila nënkupton strukturimin e obligimeve dhe përgjegjësive, qoftë financiare, emotive apo politike. Sipas saj, martesa nuk mund të shihet si një lidhje e përkufizuar nëpërmes një fuqie mbi natyrore.

“Martesa është shpikje njerëzore – dhe gjithmonë ka qenë e tillë – e cila vazhdimisht është rimenduar. Nëse ne e pranojmë që jetojmë në një vend i cili është demokratik dhe e pranojmë se jetojmë në një shtet i cili është laik, atëherë edhe vlerat dhe bindjet fetare nuk do të duhej ta përcaktonin domethënien, në këtë rast, të këtij institucioni”, thekson Luci.

Hasani: Mileu shqiptar kundër martesave të gjinisë së njëjtë

Por, sociologu Ismail Hasani, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, vlerëson se në periudhën e hapjes së shoqërisë shqiptare në përgjithësi, në raport me komunikimet me vendet që kanë legalizuar komunitetin LGBTI dhe kanë lejuar lidhjet martesore për këtë komunitet, e kanë ndikuar edhe shoqërinë në Kosovë.

Por, sipas tij, mileu kulturor i shoqërisë shqiptare dhe mileu fetar, që ndërlidhet ngushtë me mileun kulturor, është kundër martesave të tilla.

“Sidomos kur bëhet fjalë për krijimin e mundësisë për lidhje bashkëshortore të dy pjesëtarëve të gjinisë së njëjtë dhe aq më tepër lejimin e prindërimit, përkatësisht adoptimit të fëmijëve. Kjo për shkak se në aspektin kulturor, fetar dhe njerëzor, prindërimi nënkupton të drejtën e ushtrimit të prindërimit nga babai dhe nga nëna. Çdo privim i fëmijës për të pasur të prindërimin e nënës, është shkelje elementare e të drejtave njerëzore”, thotë Hasani.

Kuptimi i familjes

Antropologia Luci vlerëson se martesa, në kuptimin radikal, ka të bëjë me lidhjen emocionale të kujdesit mes njerëzve dhe përkufizime radikale ka edhe për familjen.

“Martesa, në njëfarë mënyre, e nënkupton edhe krijimin e familjes. Por, familja, jo domosdo e nënkupton edhe lindjen apo prodhimin e fëmijëve biologjik të asaj lidhje”, thekson Luci.

Por, sociologu Hasani thotë se teoria sociologjike mbi familjen bërthamë, e antropologut dhe teoricienit amerikan të sociologjisë, Lewis Morgan, e cila deri më sot nuk është përmbysur, nuk është në harmoni me familjet që mund të pretendohen nga çiftet e gjinisë së njëjtë, duke adoptuar fëmijë.

“Familja bërthamë apo nukleare, nënkupton çiftin bashkëshortor të gjinive të kundërta, pasardhësit e tyre – fëmijët, si dhe fëmijët e adoptuar ose fëmijët e birësuar. Ky është nocioni sociologjik, që edhe më tutje në literaturën sociologjike anekënd botës vazhdon të qëndrojë i papërmbysur”, thekson Hasani.

Në Projektkodin Civil nuk definohet se çfarë është “bashkësi civile”. Por, megjithatë, aty shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”.

Në vende perëndimore, bashkësitë civile nuk konsiderohen si martesa, por si marrëdhënie e ligjshme ndërmjet dy personave, që siguron mbrojtje ligjore për çiftin, vetëm në nivel shtetëror.

Në Bashkimin Evropian, bashkësitë civile lejojnë dy persona që jetojnë së bashku në çift, të regjistrojnë marrëdhënien e tyre me autoritetin publik përkatës në vendbanimin e tyre. Dallimet midis vendeve të BE-së në këtë fushë po ashtu ekzistojnë. /REL/

Exit mobile version