Kohët e fundit, kur po përmendet mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve në vendin tonë, pas miratimit të reformave zgjedhore, përfaqësuesit e partive politike menjëherë sikur i fërkojnë duart për mundësinë që mund t`ju krijohet atyre që të jenë pjesë e hyqymetit, menjëherë pas rezultatit zgjedhor. Fillojnë ta zgjedhin apo më mire të themi të jenë vigjilent për fjalorin e komunikimin politik karshi qytetarit, por shumë rrallë direkt me qytetarin. Më pastaj, duke mos humbur shumë kohë për këtë, ato mobilizohen me emra kandidatësh dhe krijimin e kabineteve, sikur ato “në hije”, duke pritur momentumin e zgjedhjeve që priten të vijnë (siç bëri PDK-ja dikur n`opozitë, por edhe tash me kandidatin për Prishtinën Blerand Stavileci).
Kështu, mediat tona pastaj vërshojnë me transmetimin e mesazheve, ideve, e informatave për çështjet të natyrës politike. Në këtë mënyrë komunikimi i politikanëve bëhet gjithnjë më kompleks, duke pretenduar audiencën e qëlluar, kurse konkurrenca e mesazheve, të cilat kanë për qëllim koncentrimin e qytetarëve, është gjithnjë më e madhe e po ashtu edhe rregullat që e përcjellin komunikimin efektiv politik.
Mediat janë faktor shumë relevant që ndërmjetësojnë në komunikimin politikani-qytetari, por jo edhe mediatori i gjithëfuqishëm, ngase ndikon gjithashtu edhe besimi i kufizuar i qytetarit ndaj mediave pasi opinioni publik nuk i përkrahë mesazhet e mjegulluara dhe të “lodhëta”.
Po, çfarë në fakt është komunikimi politik në skenën spektrit politik kosovar dhe se si aktivizohet qytetari si interaktivi në raport me këtë komunikim politik?
Sot ne flasim për politikën dhe zhvillimet e saja që na prekin drejtpërsëdrejti në jetën tonë, qoftë për së mbari apo edhe atëherë kur s`jemi të kënaqur. Madje, flasim e komunikojmë aq shumë zhurmshëm e bindshëm, sa që gati të gjithë e përditë ne bëhemi politikëbërësa!
A mund që çdo qytetar i rëndomtë të japë mendje për politikë?
Përgjigja do të ishte se e ka drejtën normale të flasë e komentojë për të, ama të japë gjykime politike e mendje nga pozita e votuesit të thjeshtë nuk është kompetencë e tij. Qytetari ynë, si konsumues politik, posa hyn në rrafshin e politikës, për mungesë të analizës së tij politike, ai gjykon në mënyrë fëmijërore! Shkencëtari i politikës, Joseph Schumpeter, për këtë çështje thotë se qytetari shpesh ka performancë të ulët mendore në raport me politikën. Shpesh na del se për politikë gjykojnë edhe njerëz pa as edhe një formim minimal intelektual, e mos të flasim për nivele me formate akademike…
Në anën tjetër, këtë mungesë analize të qytetarit rreth e për politikën mund ta arsyetojmë edhe me faktin se ai gjithnjë po bëhet produkt i një nënshtrimi të komunikimit politik-mediatik, ku veprimin politik dhe partitë politike i sheh vetëm në bazë të mediatorëve, duke qenë vet jashtë dhe pa asnjë akces përbrenda veprimit apo lojës reale politike të partisë së tij. Të gjitha partitë politike, në vendin tonë, qytetarin e perceptojnë vetëm si votë të mundshme, andaj ky është një tip komunikimi joracional politik me të, sidomos kur aplikohet gjatë fushatave zgjedhore ku përdoren premtime, fjalë, intelektualizma, supozime e të tjera për një botë tjetër, e krejt këto premtime politike realizohen para opinionit publik përmes atyre formave stereotipe me skemat e përgatitura nga rregullat e mediatorit, kurse veprimi politik i qytetarit mbetet në terr prapa kësaj skeme mediatike.
Pra, ky komunikim simbolik ose mediatiko-retorik i politikanëve tanë na del si manipulues për shkak të mosveprimit politik të qytetarëve, sepse vetëm dialogu real dhe permanent me opinionin publik paraqet parimin e demokracisë me legjitimitet, si dhe krijon formulën e pushtetit demokratik të qytetarit – por, që menaxhohet nga të zgjedhurit (politikanë) e tyre dhe kështu krijohet komunikimi politik më i mirë reciprok e racional midis dy palëve protagoniste.
Pra, këtu mund të shihen mjaft argumente se si duhet dhe si zhvillohet komunikimi politik tek spektri ynë partiak. Ajo që mund të konkludojmë është se ky lloj komunikimi politik gjendet para shumë sfidave. Ky komunikim duhet të japë impaktin e tij se duhet ta mundë distancën ndërmjet qytetarit dhe politikanit, e cila gjithnjë rrezikon demokracinë. Obligim permanent i politikanëve do të duhej të ishte afrimi kah qytetari, ngase qytetari është ai që me anë të votës ia jep legjitimitetin politikanit për të qeverisur.
Natyrisht, ne sot shohim që nuk është identik ky komunikim politik në Kosovë, me atë të vendeve të zhvilluara perëndimore. Në vende perëndimore, komunikimi politik paraqet atë fuqinë e krijimit të urës midis dëshirës-kërkesës së qytetarit dhe politikanit, kurse tek ne ajo paraqet vetëm forcën-pushtetin.
Sot, në Kosovë, si sfidë e komunikimit politik mund të themi se kemi të bëjmë me një komunikim të njëanshëm, e që me këtë nënkuptojmë se për fat të keq ajo kryesisht paraqet vetëm pjesën ku politikani i drejtohet votuesit, duke mos e dhënë fare feed-back-un ndaj premtimit që i është dhënë (pritjes konkrete dhe reaksionit të mëvonshëm të qytetarit). Pra, nuk kemi një komunikim të dyanshëm, ku qytetarëve askush nuk ua thotë dhe shpjegon se në fakt partitë politike janë servis i tyre dhe jo e kundërta. Pra, partive politike nuk iu duhet komunikimi politik me subjektin që e voton dhe e zgjedh, por atyre më shumë – apo të themi troç – u nevojitet vetëm media, e cila do t`i transmetonte mesazhet e tyre. Nga kjo lirisht mund të themi se kështu qytetari është elementi më i dobët i komunikimit, pavarësisht se mund të thuhet se nga ajo çfarë shohim edhe në politikën globale, komunikimi politik askund nuk është fare ideal.
Duhet theksuar se edhe disa nga mediat janë ato që mbajnë pjesën e përgjegjësisë ndaj këtij komunikimi politik jointeraktiv, duke pranuar t`u bëjnë vetëm servis klasik politikanëve e duke pranuar varësinë e politikës redaktoriale, kur kihet parasysh se cili është roli thelbësor i një medie objektive e të pavarur. Kjo temë ka qenë përherë relevante, por që qasja ndaj saj ka qenë e ndryshme. Më herët ajo nuk ka qenë mjaft e analizuar, më shumë ka rrjedhur si praktikë dhe gjatë kalimit të kohës kjo ka evoluar dhe ka ndryshuar. Andaj, sot kjo temë ka një interesim të madh, si tek gazetarët, politikanët, studentët etj.
Komunikimi politik gjithnjë do të ekzistojë, por se si do të avancohet për të ardhmen dhe të mirën e qytetarit, deri ku do të shkojë apo a do të masovizohet ky komunikim politik, e tëra kjo do të varet nga ngritja e koshiencës politike tek politikanët, nga ngritja sa më profesionale tek gazetarët, por edhe nga emancipimi politik i qytetarëve. Në këtë formë do të krijohet ajo fuqi e urës lidhëse të një komunikimi sa më racional dhe të lirë politik, ngaqë thelbi i sistemit te demokracisë nuk është pushteti, as monologu, por qytetari dhe dialogu i qytetarit me politikanin.