Rruga që lidh fshatrat e malësisë së Tetovës, gjegjësisht udhëkryqi në Shipkovicë është i papastruar nga bora. Banorët ankohen se komunikacioni është i vështirësuar dhe kanë probleme për të lëvizur në këtë rrugë.
“Rrugët pa pastruar siç i shihni edhe vet. Kemi pasur probleme. Nuk kanë pastruar asgjë. Kalon bulduzeri edhe nuk pastron asgjë. Shumë është problem. Me vetura e kemi problem, sepse bulduzeri kalon e pastron pak, krip nuk hedh askush”, u shpreh për TV21, Ilir Ramadani, banor i Shipkovicës.
Komuna e Tetovës ishte e vetëdijshme për borën që gjenden në rrugë por jo edhe për mos hedhjen e kripës nga kompanitë që kanë tenderin për pastrimin e borës. Zëdhënësi i Komunës së Tetovës Armend Fazliu thotë se makineritë e rënda operative për pastrimin e borës nuk mund të depërtojnë gjithkah, por zotohet se për mos hedhjen e kripës do të ndërmarrin masa konkrete.
“Kemi pasur problem në ato fshatra të malësisë së Sharrit, normalisht makineria jonë operative është angazhuar që të t’i zhbllokoj edhe ata rrugë. Duhet të kemi parasysh që janë terrene mjaftë të vështira dhe kushtet klimatike pamundësojnë depërtimin në çdo kohë të makinerisë tonë atje. Por ne do të punojmë intenzivisht tani dhe ditëve në vazhdim dhe të zhbllokojmë totalisht këta rrugë të malësisë së Sharrit. Në qoftë se një informacion i tillë është i vërtetë, e siguroj ekipin e TV21 që në afat rekord kohorë do të hidhet kripa edhe atje”, tha Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës.
Për dallim nga rrugët që lidhin fshatrat rural të malësisë së Sharrit, rruga që të shpie në “Kodrën e Diellit” ishte e pastruar./Telegrafi/