Edhe pse kishte planifikuar 50 mijë euro për dekorimet e fundvitit, Komunës së Prishtinës ky aktivitet do t’i kushtojë gati 58 mijë euro.
Komuna e Prishtinës njoftimin për nënshkrimin e kontratës në vlerë prej 57 mijë e 940 eurove e publikoi në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP). Sipas njoftimit, dekorimi i qytetit për festat e fundvitit i është besuar kompanisë “Anea” NPT.
Për këtë tender, Komuna kishte paraparë procedurë të hapur me kriter çmimin më të ulët. Por, mjetet e planifikuara për këtë aktivitet të prokurimit rezulton se nuk ishin të planifikuara mirë.
Bazuar në njoftim, Komuna kishte ndarë 50 mijë euro, ndërsa kontrata e nënshkruar kaloi parashikimin për 7,940 euro. /kallxo.com/