Telegrafi

Komunës i kërkohet shtrimi i rrugëve me kubëza në ‘Mati 1’

Shumë rrugë në Lagjen “Mati 1” në Prishtinë kanë mbetur në lloç, dhe pa u shtruar me kubëza, punë kjo e cila duhet të kryhet nga Komuna e Prishtinës. Pronarët e katër kompanive të cilët merren me ndërtimet e larta në Lagjen “Mati 1” në Prishtinën, i kanë bërë kërkesë Komunës së Prishtinës, që të fillojë me shtrimin e rrugëve me kubëza betoni ashtu siç është edhe paraparë.

Zyrtarët e Komunës së Prishtinës kanë thënë se të gjitha rrugët në këtë lagje do të shtrohen me kubëza, por që varet nga kryerja e punëve nderti more nga kompanitë dhe kushtet atmosferike.
Pronarët e kompanive “Pozhegu Brothers”, “Hoxha”, “Toning” dhe “ADK” kanë kërkuar nga komuna e Prishtinës, shtrimin e dy rrugëve me kubëza betoni, nëpërmjet një shkresë të bërë më 30 dhjetor të vitit të kaluar.

“Bëjmë kërkesë për shtruarjen e rrugëve me infrastrukturë përcjellëse për rrugën “Beqir Kastrati” dhe rrugën “Hasan Jashari” në Lagjen Mati 1 Prishtinë, të cilat janë të shtruara me zhavor nga vetë pronarët deri në 70 centimetra mbushje të cilave iu nevojitet vetëm nivelizim dhe kupëzat me anësore. Andaj kërkojmë rregullimin e këtyre dy rrugëve sipas gjendjes ekzistuese të cilat edhe me planë rregullues janë të parapara të ndërtohen”, thuhet në kërkesën e këtyre katër kompanive dërguar Komunës së Prishtinës.

Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu ka konfirmuar për Telegrafin se të gjitha rrugët në lagjen Mati 1 përfshirë edhe rrugët “Beqir Kastrati” dhe “Hasan Jashari” do të shtrohen me kubëza vetëm se punimet janë ndërprerë për shkak të kushteve atmosferike.

“Të gjitha rrugët në Lagjen ‘Mati 1’ do të shtrohen me kubëza betoni. Puna për shtrimin e kubëzave është ndërprerë për shkak të kushteve atmosferike, puna do të vazhdojë po sa të përmirësohen kushtet atmosferike, pasi si Komunë kemi kontratë me kompani për shtrimin e këtyre rrugëve. Rrugët do të kompletohet me kubëza , me përjashtim në rrugët ku janë duke u kryer ende punë të rënd ndërtimore dhe për shkak se rrugët mund të dëmtohen nga kalimi i makinave të rënda”, tha zëdhënësja e Komunës së Prishtinës Miranda Mullafazliu. /Telegrafi/