Site icon Telegrafi

Komunave veriore nuk heqin dorë nga buxhetet e miratuara

Kuvendet komunale të katër komunave veriore i kanë bërë me dije sërish qeverisë se nuk heqin dorë nga buxhetet që kanë miratuar, ani se ato nuk i ka aprovuar qeveria. Kërkesat e tyre për ekzekutivin po mbështeten edhe në “Fondin për veriun”. Ministria e Financave dhe ajo e Pushtetit Lokal thonë se ato dhe Komuna e Prishtinës duhet ta miratojnë buxhetin e caktuar nga Qeveria dhe nuk do të ketë zgjedhje për asambletë komunale.
Ministria e Financave po përpiqet të bëjë kompromis me 5 komunat që nuk u është miratuar buxheti. Komuna e Prishtinës dhe 4 komunat veriore, sipas Ligjit për financa dhe atij për Vetëqeverisje lokale, kanë afat deri më 1 mars për të miratuar buxhetin konform qarkores së qeverisë. Në të kundërtën kuvendet komunale konsiderohen jo funksionale.

Kryetari i komunës së Prishtinë Shpend Ahmeti i ka bërë së fundi një kërkesë për interpretim ligjor Ministrisë së Pushtetit Lokal, ku i kërkon udhëzim që nëse buxheti prej 69 milionë eurove nuk miratohet nga Kuvendi Komunal – a duhet të shkohet në zgjedhje.

Ministria e Pushtetit Lokal, sipas sekretarit të përhershëm Besnik Osmani i ka kërkuar Ministrisë së Financave që së bashku ta bëjnë një interpretim ligjor për rastin e Prishtinës, transmeton RTK.

Ndërsa katër komunat veriore që kanë miratuar buxhetin, por që ky buxhet i tyre është në shpërputhje ekstreme me buxhetin miratuar në Parlament vazhdojnë të shpërfillin Ministrinë e Financave.

Komunat veriore po këmbëngulin për buxhetin, që kanë miratuar, i cili është për 59 milionë e 29 mijë euro më i lartë se që i është aprovuar nga Ministria e Financave.

Megjithatë Ministria e Financave po shpreson që komunat veriore të ndryshojnë vendimet brenda muajit shkurt. Kjo ministri sipas Muharrem Shahinit u ka kërkuar komunave veriore dhe asaj të Prishtinës të respektojnë afatet ligjore dhe buxhetin që u është caktuar.

Por, deri më tani komunat me shumicë serbe deri më tani kanë refuzuar t’i përgjigjen kësaj thirrje duke këmbëngulur se “Fondi i Veriut” ekskluzivisht u dedikohet rritjes së buxhetit të këtyre komunave.

Ndërsa kryetari i Prishtinës në letrën e tij paralajmëron Ministrinë e Pushtetit Lokal se dy grupet parlamentare janë deklaruar kundër këtij buxheti dhe nuk pret që buxheti të kaloj para kësaj date.

Sidoqoftë, Ministria e Financave sipas Shahinit pret që ky buxhet të miratohet, që nënkupton që këto dy grupe parlamentare ai i Lidhjes Demokratike dhe ai i Partisë Demokratike ta votojnë atë.

Komuna e Prishtinës duhet të miratoj buxhetin jo 69 milionë sa ishte propozim-buxheti i kryetarit por, 62 milionë euro sa i lejon qarkorja buxhetore e Qeverisë. Ndërsa komunat veriore duhet të ri-aprovojnë buxhetin e tyre konform shumës që u është caktuar.

Buxheti i përgjithshëm që kanë aprovuar kuvendet komunale të veriore për vitin 2015 është në total 67.5 milionë euro. Mitrovica Veriore ka kërkuar 20 milionë euro dhe i janë aprovuar nga qeveria 2.736.782 euro, Zveçani ka miratuar buxhet 14.500.000 euro, kurse qeveria i ka ndarë 1.612.130 euro, Zubin Potoku ka aprovuar 21.500.000 euro dhe i janë dhënë 1.861.975. Ndërsa Leposaviqi ka miratuar një buxhet prej 11.500.000 euro dhe i ka të aprovuara vetëm 2.259.926 euro. /Telegrafi/

Exit mobile version