Site icon Telegrafi

Komunat veriore, privilegje me buxhet

Komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi e Zubin Potoku, janë më të privilegjuarat në Kosovë sa i përket buxhetit. Përveç nga Qeveria e Kosovës ato marrin buxhet edhe nga Qeveria e Serbisë dhe nga Fondi Zhvillimor i Veriut

Ndonëse vazhdimisht ankohen e madje edhe bëjnë obstruksione nga më të ndryshmet për të përftuar sa më shumë buxhet nga Qeveria e Kosovës, katër komunat veriore, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi e Zubin Potoku, janë komunat më të privilegjuara në Kosovë sa i përket buxhetit. Këto katër komuna përveç nga Qeveria e Kosovës marrin buxhet edhe nga Qeveria e Serbisë e edhe nga Fondi Zhvillimor i Veriut.

Vetëm për Mitrovicën e Veriut Serbia ka ndarë 12 milionë euro buxhet për vitin 2016, pothuajse dyfish më shumë se që ka ndarë Qeveria e Kosovës (rreth 6 milionë euro).

Me buxhetin që ndan Serbia për komunat veriore menaxhojnë organet e përkohshme, që në fakt janë komuna paralele, të cilat funksionojnë pa ndonjë problem jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe në komunat në jug të Ibrit.

Ta zëmë, Komuna paralele e Skenderajt (Serbica) funksionon me të gjitha organet, edhe me Kuvend, në Bajë, një fshat i banuar kryesisht me popullatë serbe. /Zëri/Telegrafi/

Exit mobile version