Site icon Telegrafi

Komunat po sfidohen për menaxhimin e mbeturinave

Instituti Riinvest së bashku me partnerët e tij kanë organizuar Forumin për Menaxhimin e Mbeturinave ku u prezantuan të gjeturat e raportit “Menaxhimi i mbeturinave në 16 komunat”.

Zyrtarë të Agjencisë për Menaxhimin e Mbeturinave potencuan se gjendja e mbeturinave dhe deponive nuk është e mirë.

Siç kanë thënë ata problemi më i madh është se ka shumë prodhim të mbeturinave dhe pak mblidhen për trajtim. Janë disa komuna në Kosovë që nuk kanë fare kompani për mbledhjen e mbeturinave. Në raport është identifikuar niveli i ulët i vetëdijesimit nga qytetarët, deponitë e vjetra, nuk ka deponi në disa komuna, niveli i ulët i mbledhjes së mbeturinave si dhe mungesa e një kompanie përgjegjëse për menaxhimin e mbeturinave. Po ashtu ka edhe pajisje të vjetra për mbeturina.

Alban Hashani nga Instituti Riinvest tha se ideja e organizimit të këtyre Forumeve është inkurajimi i komunave për t’i adresar sfidat e tyre për menaxhimin e mbeturinave.

“Kjo pjesë e raportit përshkruan situatën aktuale në lidhje me mbeturinat në 16 komuna të Kosovës dhe problemet e përbashkëta me të cilat përballen këto komuna. Analiza është bazuar në informacionin e marrë nga intervistat e detajuara me zyrtarë të komunave të cilët janë përgjegjës për menaxhimin e mbeturinave”, tha Hashani.

Prej 16 komunave të përfshira në këtë raport janë: Graçanica, Kllokoti, Novobërda, Parteshi, Ranillugu, Shtërpca,Gjilani, Istogu, Klina, Obiliqi, Peja, Vushtrria, Mitrovica, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani. /Telegrafi/

Exit mobile version