Telegrafi

Komunat mirëpresin realizimin e projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”

Takimet e para janë realizuar në Komunën e Gjilanit, Vitisë, Prizrenit dhe Mitrovicës.

Me këtë rast, Xheladin Ujkani, ideator dhe udhëheqës i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, njëherazi drejtor ekzekutiv i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi- KISCOMS, në takimet e zhvilluara i ka informuar përfaqësuesit e kuvendeve komunale në lidhje me ecurinë e deritanishme të projektit dhe hapat e mëtutjeshëm për implementimin e projektit edhe në komunat tjera, përveç Prishtinës.

Nga kuvendet komunale është kërkuar edhe mbështetje financiare përmes planifikimeve buxhetore për vitin 2015, për implementimin e këtij projekti shumë të nevojshëm e shumë të domosdoshëm për gjeneratat e reja, projekt i cili për qëllim ka informimin e fëmijëve të Institucioneve parashkollore dhe nxënësve të Institucioneve të arsimit fillore mbi rëndësinë e shëndetit oral, informimin për ushqimet e shëndetshme dhe të dëmshme për dhëmbët, informimin mbi metodën e drejtë dhe të rregullt të pastrimit të dhëmbëve, vlerësimin e gjendjes së shëndetit dentar dhe oral, vlerësimin e nivelit të edukimit për shëndetin oral, si dhe përgatitjen e rregullores-strategjisë afat shkurtër dhe afat mesme për edukim shëndetësor oral në Institucionet parashkollore dhe fillore të Kosovës, u shpreh Ujkani.

Ai tha se në bazë të Ligjit për shëndetësi, Neni 28.1 dhe 28.4, pika 4(d), Komunat janë përgjegjëse promovimin e shëndetit oral dhe kujdesin themelor stomatologjik. Duke marrë parasysh se projekti “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, është i vetmi projekt në fushën e promovimit të shëndetit oral i cili implementohet në Institucionet parashkollore dhe fillore në Kosovë, monitorohet dhe bazohet në rekomandimet e Komitetit ndërministror të programit ”Shkollat Promovuese të Shëndetit” Projekti është i fokusuar në edukimin e fëmijëve dhe nxënësve përmes shfaqjeve, poezive, vizatimeve, maskotave, modeleve, fotografive, videove, broshurave, banerave dhe është forma më e mirë për promovimin e shëndetit të dhëmbëve te fëmijët dhe nxënësit, përkatësisht te gjeneratat e reja.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Kuvendeve komunale, prezente në takime, kanë mirëpritur dhe kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe implementim të projektit në komunat e tyre, gjithmonë duke e vlerësuar dhe pasur parasysh rëndësinë e një projekti të tillë për fëmijët e Institucioneve parashkollore dhe nxënësit e shkollave fillore, nga klasa e I-rë, deri në klasën e V-të.

Portali Informativ Telegrafi.com dhe Radiotelevizioni 21, janë sponsor medial të projektit. /Telegrafi/