Site icon Telegrafi

Komunat kërkojnë opinion ligjor nga Ministria e Financave për faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar opinion ligjor nga Ministria e Financave për faljen e 100 eurove nga tatimi në pronë.

Ky veprim është bërë të mërkurën nga Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci drejtuar Ministrisë së Financave, Transfereve dhe Punës duke e vënë në dijeni edhe Kryeministrin, Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe palët e interesit.

Nga Asociacioni konsiderohet se Opinioni ligjor nga Ministria e Financave Transfereve dhe Punës do të sqaroj dilemat e ligjshmërisë rreth propozimit të Ministrit Murati për “faljen e 100 eurove nga tatimi i pronës për vitin 2023”.

“Dilemat e shprehura nga Kryetarët e Komunave rreth ligjshmërisë së këtij propozimi të Ministrit te Financave z.Murati, presim t’i japë zgjidhje ky opinion sqarues që e presim nga Ministria e Financave, Transfereve dhe Punës”.

Lexo po ashtu Rama: Kemi tri opsione për tatimin në pronë

“Duke qenë se në opinion ka dilema ligjore për atë se a është apo jo përgjegjësi e nivelit lokal çështja e “faljes së tatimit në pronë”, presim që këto dilema t’i qartësojë Opinioni ligjor nga Ministria e Financave, Transfereve dhe Punës si institucion kompetent”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e AKK-së.

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), më pare kishte kërkuar nga Ministria e Financave që vendimi për ri-vlerësimin e pronave të pezullohet dhe që qytetarët e Kosovës të paguajnë vlerën e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023 ashtu siç e kanë paguar në vitin 2022./Telegrafi/

Exit mobile version