Site icon Telegrafi

Komunat fqinje të Prizrenit duhet të rrisin transparencën financiare

Komunat fqinje të Prizrenit përballen ende me sfida sa i përket transparencës financiare në raport me publikun. Komunat e Rahovecit, Suharekës, Dragashit, Mamushës, Shtërpcës dhe Malishevës, duhet të shtojnë përpjekjet e tyre për t’i ofruar publikut pasqyrat mbi realizimin dhe shpenzimin e mjeteve nga buxheti komunal.

Ekzekutivet e këtyre komunave kanë lejuar qasjen në dokumente publike për monitoruesit e EC Ma Ndryshe, përkatësisht kanë ofruar raportet financiare për periudhën janar-qershor 2015, ndonëse në këtë drejtim janë evidentuar edhe vonesa.

Komuna e Suharekës ka ofruar kopjen e raportit financiar gjashtëmujor, një muaj e gjysmë pas dorëzimit të kërkesës. Ndërsa komunave tjera i janë dashur mesatarisht rreth dy javë për të ofruar qasje në këtë dokument publik.

Megjithëkëtë ka komuna që këto raporte ende nuk i kanë publikuar në ueb faqet e tyre zyrtare. Në ueb faqet e komunave të Shtërpcës, Mamushës, Dragashit, Rahovecit e Suharekës nuk mund të gjenden raportet gjashtëmujore financiare, ndërkohë që ky dokument është postuar në ueb faqen e Komunës së Malishevës. Në ueb faqen e Komunës së Rahovecit figuron raporti tre mujor financiar, derisa te komunat e Shtërpcës, Mamushës, Dragashit e Suharekës nuk mund të gjenden as këto informata.

EC Ma Ndryshe përkujton se transparenca financiare përbën një element kyç të menaxhimit efektiv të mjeteve publike, ku publikimi i të dhënave u mundëson qytetarëve kërkimin e përgjegjësisë dhe llogaridhënies nga lidershipi komunal. Raportet periodike financiare të qeverive lokale duhet të sigurojnë publikun se mjetet e takspaguesve shfrytëzohen në mënyrë të duhur dhe se i shërbejnë agjendës zhvillimore lokale. Informatat financiare duhet të jenë përmbajtësore e të plota, të besueshme dhe të qasshme për publikun. Prandaj publikimi i raporteve periodike financiare është një kriter minimal në përpjekjet për transparencë financiare.

Bazuar në këto të gjetura EC Ma Ndryshe thekson se transparenca financiare është jetike për vlerësimin e përgjithshëm të transparencës në një komunë. Të dhënat lidhur me buxhetin komunal sipas Udhëzimit Administrativ 05/2013 për Transparencë në Komuna janë dokumente publike.

Prandaj, duke i marrë parasysh të gjitha këto EC Ma Ndryshe rekomandon komunat fqinje të Prizrenit që të rrisin transparencën buxhetore; të shtojnë përpjekjet që raportet financiare të publikohen online rregullisht dhe që përmbajtjet e tyre të jetë më të qarta për publikun, në mënyrë që të plotësohen së paku kriteret minimale për transparencë financiare. /Telegrafi/

Exit mobile version