Komuna e Tetovës njofton se qytetarët e interesuar të cilët dëshirojnë të dhurojnë mjete financiare, veshmbathje dhe materiale të tjera për popullin Turk dhe Sirian mund ta bëjnë duke iu përmbajtur listës që e kanë publikuar ata.
Nga komuna thonë se tani për tani më të nevojshme janë mjete financiare.
“Po ashtu, u konfirmua edhe lista e materialeve të kërkuara, ndërsa prioritete janë: tendat, bataniet dhe ngrohëset. Nga veshjet e dimrit nevojiten xhaketa, çizme, polovra, pantalona dhe kapele. Po ashtu nevojiten edhe dysheme, thasë për gjumë, ushqim i konservuar, ushqim për fëmijë, pelena për fëmijë, mjete për pastrim dhe higjienë”, thuhet në kumtesën e Komunës së Tetovës.
Ne Tetovë qytetarët mund t’i lënë donacionet në sheshin e qytetit dhe sallën sportive të gjimnazit “Kirill Pejçinoviq” nga ora 10 deri ora 18.
Është hapur edhe xhirollogari, ku qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe diaspora mund të ndihmojnë me mjetet financiare. Njëherit, komuna e Tetovës ka ndarë një milionë denarë ndihmë për rajonat e goditura nga tërmeti në Turqi dhe Siri.