Telegrafi

Komunat e Kosovës me shtatë kërkesa për Qeverinë  

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu sot në takimin e kryetarëve të komunave me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me disa nga ministrat e Qeverisë ka parashtruar disa kërkesa të komunave për ekzekutivin.

Në këtë takim, Aliu ka folur edhe për çështjen e faljes së 100 eurove të tatimit në pronë e çështje tjera si dhe ka parashtruar të shtatë kërkesat.

Si kërkesa urgjente drejtuar qeverisë janë: 

Kundërshtimi për bartjen e përgjegjësisë së faljes së Tatimit në Pronë tek Komunat, sepse kjo cenon të hyrat vetanake nga të cilat varen në masë të madhe projektet kapitale në komuna.

Urgjentisht të barten mjetet e të hyrave vetanake në komuna, për momentin të pezulluara.

Të themelohet Granti i IV që do të krijoj barazi financiare për Komunat e Kosovës.

Kërkojmë përshpejtimin e nxjerrjes së akteve nënligjore (në bazë të Ligjit të ri për Zyrtarët Publik) që rregullojnë procedurat e rekrutimit në komuna, me theks lejimin e listës pritëse në arsim dhe shëndetësisë.

Komunave t’u kthehen pronat nga AKP-ja, prona këto që janë përcaktuar dhe të shpallura nga komunat për interes publik e për të cilat komunat i kanë nisur procedurat e projekteve dhe kanë njoftuar me shkrim nivelin qendror.

Të krijohen mekanizma ligjor për bartjen e pronave të menaxhuara nga Agjencia e Pyjeve për zhvillim të projekteve si dhe në raste të tjera të ketë shmangie të procedurave burokratike për dhënien e lejeve për zhvillim të projekteve komunale.

Të mos lejohet që Zonat Ekonomike në komuna të kalojnë në përgjegjësi të nivelit qendror por të vazhdojnë të administrohen nga Komunat. /Telegrafi/