Qytetarët e Kosovës më 6 tetor 2019, shfrytëzuan të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Nga 1 milion e 937 mijë e 868 votues të regjistruar, të drejtën për të votuar e shfrytëzuan 812 mijë e 49 votues, apo 44.18 për qind. Dalja e qytetarëve në këto zgjedhje ishte e lartë krahasuar me daljen në vitet e mëparshme.
Mirëpo në disa komuna dalja e qytetarëve nuk ishte e madhe. Nga të dhënat e KQZ-së, Telegrafi ka nxjerr pesë komunat me daljen më të vogël të qytetarëve në këto zgjedhje.
E para radhitet komuna e Dragashit ku nga 40 mijë e 809 votues të regjistruar, në 60 vendvotime, votuan vetëm 13 mijë e 356 votues apo 32,73 për qind.
Pas Dragashit, komuna me daljen më të vogël në zgjedhje është Klina. Në këtë komunë nga 49 mijë e 132 votues të regjistruar, të drejtën për të votuar në 64 vendvotime e shfrytëzuan 17 mijë e 561 qytetarë apo 35,87 për qind.
Edhe në Junik nuk pati dalje të lartë të qytetarëve në zgjedhjet e 6 tetorit, shkruan Telegrafi.
Në këtë komunë votues të regjistruar ishin 5 mijë e 688, të hapura ishin 7 vendvotime, ndërkaq numri i qytetarëve që dolën në zgjedhje është 2 mijë e 91 apo 36,76 për qind.
Gjakova ishte ajo që befasoi me daljen e qytetarëve të zgjedhje. Edhe pse është ndër shtatë komunat më të mëdha në vend, qytetarët e Gjakovës në këto zgjedhje morën pjesë shumë pak.
Nga 116 mijë e 651 votues të regjistruar, ku të hapura ishin 142 vendvotime, në zgjedhje për të votuar për qeverinë e ardhshme të vendit dolën vetëm 43 mijë e 776 apo 37,53 për qind.
Edhe komuna e Rahovecit nuk është se pati dalje të kënaqshme të qytetarëve në këto zgjedhje.
Në këtë komunë, votues të regjistruar ishin 58 mijë e 451 votues, të hapura ishin 80 vendvotime ku votuan vetëm 22 mijë e 272 apo 38,10 për qind e qytetarëve. /Telegrafi/