Site icon Telegrafi

Komuna jep katër leje të përdorimit, “Pozhegu Brothers” pajiset me një

Pranimet teknike janë bërë problem për kompanitë e ndërtimit në vendin tonë, mirëpo me një problem të tillë nuk ballafaqohet kompania lidere e ndërtimit “Pozhegu Brothers”.

Këta të fundit, hyjnë në listën e kompanive të cilat kanë marrë pranimit teknik nga Komuna e Prishtinës. “Pozhegu Brothers” ka marrë pranimin teknik për objektin C11/A/1 në Lagjen Mati 1.

Prej fillimit të këtij viti, e deri më tani, Komuna e Prishtinës i ka lëshuar vetëm katër leje të përdorimit.

Pronari i kompanisë “Pozhegu Brothers”, Qemajl Pozhegu, ka treguar se gjithmonë i kryejnë të gjitha procedurat me rregull si dhe asnjëherë nuk ka ndodhur që inspektorët përkatës të gjejnë ndonjë vërejtje ndërtimet e kompanisë tonë.

“Ne, gjithmonë i kryejmë me kohë të gjitha procedurat dhe asnjëherë deri më tash sa jemi në industrinë e ndërtimit, nuk kemi hasur në ndonjë vërejtje nga inspektorët sepse gjithnjë, ndërtimet tona janë sipas kritereve të përcaktuara me rregullativën ligjore në fuqi”, është shprehur ai.

Sa i përket pranimeve teknike, banori i kompleksit banesor të kompanisë “Pozhegu Brothers” të objektit C11/A/1, Dule Çoçaj, ka treguar se ka marr pranimin teknik dhe se shprehet i kënaqur, ngase tash më objektin e tij, mund ta përdorë për hipotekë, etj..

“Nuk jam i vetmi që kam marr pranimin teknik, ka edhe të tjerë të cilët janë pajisur me leje pranimi dhe kjo është ajo që duhet bërë të gjitha kompanitë”, ka treguar ai.

Nga ana tjetër, disa prej kompanive, kanë drejtuar ankesa karshi komunës së Prishtinës, duke thënë se po ka vonesa rreth posedimit të lejës së ndërtimit si dhe çertifikatës së pranimit, e kjo gjë po u shkakton kosto këtyre kompanive.

Ndërsa, zyrtarë të komunës së Prishtinës, përmes postës elektronike kanë treguar se investitorët për të marrë leje ndërtimore nga Komuna, përveç kritereve tjera të përcaktuara me rregullativën ligjore në fuqi, Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative Nr. 05/L – 031 21.07.2016, Ligjin Nr. 04/L-110 për Ndërtim, Ligjin Nr. 04/l-174 për Planifikimin Hapësinor dhe me dokumentet e planifikimit hapësinor, ndër të tjera duhet të prezantojnë edhe kontratën apo marrëveshjen me pronarët e pronave private (parcelave kadastrale) për bashkinvestim / ndërtim të përbashkët.

“Komuna e Prishtinës nuk e diskriminon as kë. Kushdo që i plotëson kushtet për ndërtim, bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi, do të ndërtojë”, është shprehur Adonis Tahiri, Zyrtar për Informim në Komunën e Prishtinës.

Ndërkaq, Drejtoria e Urbanizimit prej fillimit të këtij viti e deri më tani, i ka lëshuar 99 leje ndërtimore.

Mirëpo, ka kompani të tjera që ende nuk janë pajisur me leje pranim.

Arsim Kabashi, pronar i kompanisë së ndërtimit “Cima Construction”, ka deklaruar se Komuna e Prishtinës, po e neglizhon marrjen e çertifikates se përdorimit dhe pranimet teknike.

Kabashi, thekson se , “Po behët vonesa e pranimeve teknike, fletët poseduese po neglizhohen, e kjo gjë po na dëmton neve si ndërtues, e sidomos po kemi telashe me blerësit, pasi që nuk po munden me i futur objektet e tyre nëpër hipoteka apo diçka të tillë që kërkohet”, theksoi ai.

Faji krye këput i takon Komunës së Prishtinës, thekson Kabashi, ngase ata duhet ti kryejnë këto procedura më shpejtë në mënyrë që të jemi edhe ne të kompletuar me pranimet teknike.

Siç thotë ai, neglizhenca e zyrtarëve të komunës është evidente tek secila kompani ndërtuese, ku pohon se as 10% nuk po e kryejnë punën që janë të obliguar për ta kryer. /Telegrafi/

Exit mobile version