Komuna e Zelenikovës do të tentojë për së dyti herë të sigurojë një koncensioner për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e një qendre rekreative-sportive për golf, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Në konkursin e parë nuk u arrit që të gjendet koncesioneri pasi që kishte vetëm një ofertues. Komuna konsideroi se oferta nuk ishte e nivelit të duhur, prandaj është shpallur përsëri konkursi.
Kryetari i kësaj komune, Vele Gruevski, bëri të ditur se në konkursin e dytë, janë ofruar lehtësime për ndërmarrjet e interesuara për aplikim, ndërkaq vlera e tenderit është 1.1 milion euro, pa TVSH.
Hapësira e paraparë për këtë qendër është 50 hektarë, kurse në koncesion do të jepet për një periudhë 30 vjeçare./Telegrafi/