Në kuadër të investimeve në sektorin e bujqësisë për këtë vit, Komuna e Vushtrrisë, përkatësisht Drejtoria për Bujqësi ka realizuar sot projektin e subvencionimit të fermerëve në fushën e pemëtarisë.
Kryetari i Komunës Bajram Mulaku dhe drejtoresha e Drejtorisë për Bujqësi, Arta Haxhaj kanë ndarë fidanë për fermerët e komunës.
Projekti i Drejtorisë së Bujqësisë për subvencionim, ka si qëllim zhvillimin e degës së pemëtarisë në komunën e Vushtrrisë, prandaj mbi 17 mijë fidanë të cilësisë së mirë u janë shpërnda 14 fermerëve, që do mundësojnë krijimin e po kaq pemishteve të reja në komunë në një sipërfaqe prej 7 hektarësh, gjë që do të thotë se kjo mbështetje është e mirëseardhur për fermerë dhe për furnizimin e tregut me pemë.
“Jemi shumë të lumtur që po arrijmë të përkrahim fermerët e komunës në këtë mënyrë, sepse në këtë mënyrë do të rrisim edhe potencialin prodhues të pemëve në komunën tonë “, ka thënë kryetari Mulaku.
Në mesin e përfituesve ishte edhe Blerta Zekolli, e cila ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e komunës.
Ajo dhe fermerët e tjerë u zotuan se do të punojnë maksimalisht për përkujdesjen dhe mirëmbajtjen e pemishteve, me të cilat synojnë të krijojnë të mira materiale./Telegrafi/