Site icon Telegrafi

Komuna e Vitisë tash e 39 ditë pa raste të reja me coronavirus

Virusi COVID-19, ka infektuar 1 mijë e 263 persona në Kosovë, ndërsa Komuna e Vitisë e cila kishte rastin e parë në vendin tonë me këtë virus tash e disa ditë nuk ka regjistruar ndonjë rast të ri.

Kështu ka bërë të ditur, drejtoresha e Qendrës Kryesore Mjekësore Familjare në Viti, Vjollca Kadolli-Halili, transmeton Telegrafi.

“Vitia që 39 ditë pa raste të reja. E gjithë kjo duke ju falënderuar një bashkëpunimi të mirë të institucioneve dhe qytetarëve si dhe punës profesionale të punëtorëve shëndetësorë. Shpresojmë të vazhdojmë me trendin e njëjtë edhe më tutje”, ka shkruar ajo në Facebook.

Më tej, ajo në shkrimin e bërë ka kërkuar që qytetarët të respektojnë masat mbrojtëse ndaj pandemisë.

“Punëtorët shëndetësorë kanë shprehur shqetësim që prej ditës që janë liruar masat nga qeveria, shumica e pacientëve që kërkojnë shërbime, vijnë pa maska. Prandaj, kërkojmë nga qytetarët që të zbatojnë rekomandimet dhe të përdorin maskën kudo që kërkojnë shërbime, obligativisht edhe në QKMF-Viti dhe QMF-Pozheran. Kjo masë ju mbron juve qytetarë, por edhe qytetarët(pacientët) tjerë që gjenden pranë jush”, vijon shkrimi i saj.

Ndryshe, deri tani në vendin tonë me coronavirus kanë rezultuar 1 mijë e 263 persona, 912 prej personave të infektuar janë shëruar ndërsa janë regjistruar edhe 31 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. /Telegrafi/

Exit mobile version