Telegrafi

Komuna e Vitisë dhe Obiliqit përfitojnë financim të projekteve të infrastrukturës

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, të mërkurën pas takimeve të ndara me kryetarët e komunave të Vitisë dhe Obiliqit, nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi për financim të projekteve lokale me këto komuna.

Nga ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, komuna e Vitisë për vitin 2019 ka përfituar shumën prej 116.500 euro, për fillimin e realizimit të dy projekteve lokale. Kreut të kësaj komune, Sokol Haliti, nga ministri Lekaj iu kumtua edhe lajmi se puna për kyçjen e Gërlicës në autostradën “Arbën Xhaferi” do të fillojë në qershor.

Lexo po ashtu Lekaj nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me kryetarët e komunave të Skenderajt, Drenasit dhe Malishevës

Ndërsa, komunës së Obiliqit, MI i ka ndarë mjetet financiare në vlerë prej 100.000 euro për asfaltimin e rrugës “Haxhi Ali Qerkezi”, për të cilën komuna do të paguaj edhe 95 mijë euro. Ministri Lekaj e njoftoi kryetarin e kësaj komune Xhafer Gashi, se për këtë vit në këtë komunë nga MIT do të fillojë edhe renovimi i tri rrugëve regjionale, “Hasan Prishtina”, “Isa Boletini” dhe “Llapi”. /Telegrafi/