Site icon Telegrafi

Komuna e Tuzit i ankohet SHBA-së për “diskriminim” nga Qeveria e Malit të Zi

Komuna e Tuzit në Mal të Zi pretendon se po diskriminohet nga ana e Qeverisë së Malit të Zi, dhe për këtë i ka njoftuar faktorët kyç të komunitetit ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, i tha Radios Evropa e Lirë se diskriminimi po ndodhë për faktin se, kjo komunë është me shumicë shqiptare, dhe se atë e qeverisin partitë shqiptarë në bashkëpunim me partinë boshnjake.

“Duke parë veprimet e shumicës së anëtarëve të Qeverisë në periudhën e kaluar, mund të themi se këto masa janë të ngjashme me ato që ka përdorur Sllobodan Millosheviq (ish-presidenti jugosllav). Ai ka përdorur shtypjen ndërsa kjo qeveri po përdor rraskapitjen ekonomike ndaj shqiptarëve, në mënyrë që ata të mos zhvillohen”, tha Gjeloshaj.

Si shembuj të, siç thotë, diskriminimit, ai përmendi faktin që komunës së Tuzit nuk i ishte paguar as një pjesë e totalit prej dy milionë eurosh, që i takon nga buxheti i shtetit për këtë vit.

“Asnjë cent i vetëm nuk iu pagua Komunës së Tuzit, megjithëse kjo shumë duhet të ishte rreth 166,000 euro në muaj”, thotë Gjeloshaj, duke shtuar se, përkundër faktit se buxheti vjetor nuk është miratuar ende, shteti po funksionon dhe ka pasur mundësi t’i paguante ato para përmes financimit të përkohshëm.

Qeveria e Malit të Zi nuk është përgjigjur në pyetjet e Radios Evropa e Lirë në lidhje me këto pretendime të komunës së Tuzit.

Në zgjedhjet e fundit lokale në Komunën e Tuzit të mbajtura në mars të vitit 2019, koalicioni Forumi Shqiptar, i cili përbëhej nga Alternativa Shqiptare, Aleanca Demokratike e Shqiptarëve dhe Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve, fitoi shumicën e votave. Ata formuan qeverinë lokale së bashku me Partinë Boshnjake dhe partinë Mali i Zi Demokratik.

Në fund të muajit shkurt, të revoltuar me masat e reja kufizuese ndaj pandemisë nga ana e autoriteteve shëndetësore, të cilat kishin paraparë mbylljen e lokaleve, banorët e Tuzit i kundërshtuan ato, duke e bllokuar qendrën e qytetit.

Ndaj kryetarit të komunës, Nik Gjeloshaj, u ngrit kallëzim penal nën dyshimet për thirrje për rezistencë, dhe ai u mor në pyetje më 4 mars në Prokurorinë Themelore të Shtetit në Podgoricë.

Në Komunën e Tuzit, që gjendet afër Podgoricës, jetojnë rreth 15.600 banorë, kryesisht shqiptarë.

Në vitin 1958, Tuzit iu mor statusi i komunës, por iu rikthye në shtator të vitit 2018. /rel/

Exit mobile version